Ukraina ka humbur mbi 40% të territorit në rajonin Kursk të Rusisë, të cilin e kapi në një inkursion të papritur në gusht.
“Humbje e territorit vjen pas një vale sulmesh dhe kundërsulmesh të ushtrisë ruse”, tha një burim i lartë ushtarak ukrainas për “Reuters”. Rusia ka dislokuar 59,000 trupa në rajonin e Kurskut që kur forcat e Kievit hynë dhe përparuan me shpejtësi, duke e kapur Moskën të papërgatitur.
“Ne kontrollonim një territor me një sipërfaqe prej rreth 1376 kilometra katrorë, që tani është ngushtuar. Armiku po shton kundërsulmet e tij. Aktualisht kontrollojmë një territor prej afërsisht 800 kilometra katrorë. Ne do ta mbajmë këtë territor për aq kohë sa të jetë e përshtatshme nga pikëpamja ushtarake”, tha burimi.
Me hyrjen në Kursk, Kievi synoi të frenonte sulmet ruse në pjesët lindore dhe verilindore të Ukrainës, të detyronte Rusinë që të tërhiqte forcat që po përparonin gradualisht në lindje dhe t’i jepte Kievit një dritë jeshile në negociatat e mundshme të paqes në të ardhmen.
Por forcat ruse po vazhdojnë të përparojnë në rajonin Donetsk, në lindje të Ukrainës. Presidenti Volodymyr Zelenskiy është shprehur se beson se objektivat kryesore të Presidentit Vladimir Putin kanë qenë pushtimi i plotë i Donbasit, i cili përbëhet nga rajonet Donetsk dhe Luhansk, dhe largimi i trupave ukrainase nga rajoni i Kurskut.
“Për Putinin, gjëja më e rëndësishme është të na detyrojë të largohemi nga rajoni i Kurskut. Jam i sigurt se ai dëshiron të na largojë deri më 20 janar,” tha Presidenti Zelenskiy duke iu referuar kohës kur Presidenti i zgjedhur i Shteteve të Bashkuara do të marrë detyrën.
Burime nga Shtabi i Përgjithshëm i Ukrainës thonë se aktualisht rajoni Kurakhove është më në rrezik, pasi forcat ruse po përparojnë dhe kanë arritur të depërtojnë në disa zona. Ndërkaq presidenti Vladimir Putin ka bërë të ditur se Rusia do të vazhdojë testimin e raketës së saj të re hipersonike Oreshnik në varësi të situatës dhe natyrës së kërcënimeve të sigurisë që krijohen për Rusinë.
Klan News