Dy njoftime të ndryshme janë publikuar brenda 24 orëve nga “Ujësjellësi i Shkupit” për ndërprejrjen e ujit të pijshëm në pjesën më të madhe të kryeqytetit, për shkak të ndonjë difekti.
Dje në orët e pasdites në llogarinë e tij në Facebook, Ujësjellësi ka njoftuar se në kryeqytet do të ketë ndërprerje të ujit.
“Nesër (e diel 11.02.2024) në ora 17:00 për shkak të ndërhyrjes në tubacionin kryesor nga Rashçe në Shkup, do të ketë ndërprerje të furnizimit me ujë ose ulje të presionit”, thonë nga Ujësjellësi i Shkupit.
Po ashtu u publikua një listë e gjatë me emrat e vendbanimeve që nuk do të kenë ujë duke përfshirë edhe Qendrën Klinike, ku ka një numër të madh pacientësh dhe operacione të planifikuara. Por udhëheqësit e ndërmarrjes së Ujësjellësit nuk iu përgjigjën thirrjeve për më shumë detaje rreth ndërprerjes së ujit. E disa orë më vonë, postimi në profilin e ndërmarrjes në FB u zhduk, ndërsa u dërgua një kumtesë për mediat ku thuhej se nuk do të ketë ndërprerje të ujit.
“Për fat të keq, në rrjetet sociale nga ana e personave të paautorizuar ishin publikuar dhe përhapur informacione të pasakta dhe të paverifikuara, me çka kundër këtyre personave ndërmarrja publike Ujësjellësi dhe Kanalizimi do të ndërmarrë hapa adekuatë për vërtetimin e përgjegjësisë për shkak të përpjekjes që të krijohet pasiguri te qytetarët në qytetin e Shkupit”, thuhet në njoftimin e Ujësjellësit.
Në Kumtesën e ndërmarrjes së Ujësjellësit thuhet se të gjitha vendbanimet në Qytetin e Shkupit do të furnizohen plotësisht dhe rregullisht me ujë të pijshëm./tvklan.mk