Udhëheqja e konkurrencës, stabilitetit dhe klimës në Evropë – Grupi i BEI-t investon 88 miliardë euro në 2023

Në vitin 2023, Grupi i Bankës Evropiane të Investimeve nënshkroi kontrata të reja financimi për afro 88 miliardë euro për projekte me ndikim të lartë në prioritetet e politikave të BE-së, duke përfshirë masat për klimën, infrastrukturën e qëndrueshme dhe kujdesin shëndetësor.

“Grupi i BEI-t po zbaton prioritetet e BE-së në mbarë Evropën: duke nxitur konkurrencën në Evropë dhe udhëheqjen e BE-së në teknologjitë e gjelbra, dhe duke ndihmuar për të siguruar një të ardhme më të sigurt për njerëzit në të gjithë Bashkimin Evropian dhe në mbarë botën”, tha presidentja e BEI-t Nadia Calviño.

“Grupi i mbajti premtimet. Ai përmbushi dhe tejkaloi objektivat e tij në një sërë prioritetesh kyçe të BE-së. Kjo do të përkthehet në përfitime të prekshme për të gjithë ne, duke filluar nga uji i pijshëm më i sigurt te përmirësimi i transportit publik, nga rritja e aksesit në vaksina te mbulimi më të madh celular me rrjet 5G, si dhe nga krijimi i vendeve të punës dhe rritja e konkurrencës te siguria dhe efikasiteti i energjisë,” shtoi ajo.

Me 349 miliardë euro investime të mobilizuara në projekte të gjelbra që nga viti 2021, Grupi është në rrugën e duhur për të arritur objektivin për financimin e një vlere prej 1 trilion eurosh në projekte të gjelbra deri në fund të dekadës. 49 miliardë euro u financuan drejtpërdrejt për masat për klimën dhe qëndrueshmërinë mjedisore në 2023, krahasuar me 38 miliardë euro në vitin 2022.

Në vitin 2023, investimet e Bankës përfshinë mbi 21 miliardë euro si pjesë e REPowerEU, një nismë e krijuar për të reduktuar varësinë e Evropës nga karburantet fosile dhe për të përshpejtuar tranzicionin e gjelbër. Kapaciteti gjenerues i energjisë elektrike do të jetë në gjendje të furnizojë 13,8 milionë familje.

Në një vit të karakterizuar nga paqëndrueshmëria në rritje në mbarë botën, BEI Globale, krahu i dedikuar i Grupit për investime jashtë BE-së, siguroi më shumë se 8,4 miliardë euro për projekte, pothuajse gjysma e të cilave shkoi për vendet më pak të zhvilluara të botës dhe shtetet e brishta. Në përgjithësi, financimi global i BEI mobilizoi investime me vlerë 27 miliardë euro në kuadër të nismës “Global Gateway” të BE-së, përpara afatit që synon të arrijë 100 miliardë euro sipas programit deri në vitin 2027. Mbi të gjitha, përveç ndihmës prej afro 2 miliardë eurosh për Ukrainën që nga pushtimi prej Rusisë në vitin 2023, Banka krijoi Fondin EU4U, të mbështetur nga Shtetet Anëtare dhe Komisioni Evropian, për të rritur më tej qëndrueshmërinë ekonomike dhe rindërtimin në Ukrainë.

Grupi i BEI-t investoi 19,8 miliardë euro në inovacion dhe 20 miliardë euro për të mbështetur ndërmarrjet e vogla dhe të mesme dhe ato me kapital të mesëm. Kjo ka ardhur kryesisht falë investimit të Fondit Evropian të Investimeve, ofruesi i specializuar i financimit të rrezikut në Grupin e BEI-t, i cili vitin e kaluar nënshkroi investime me vlerë afro 15 miliardë euro. Kjo përfshin 1 miliardë euro në kuadër të Nismës Evropiane të Kampionëve të Teknologjisë për rritjen e sipërmarrjeve të reja në teknologjitë avangardë dhe për nxitjen e konkurrencës në Evropë. Ndër investimet e tjera kryesisht në novacion, përfituesit e financimit nga Grupi i BEI-t përfituan nga 19 projekte të inteligjencës artificiale. “Në një kohë kushtesh të vështira për investimet, Grupi i BEI-t është gati të luajë rolin tij kundërciklik, duke plotësuar buxhetin e BE-së dhe duke mbështetur shtetet anëtare të BE-së dhe ekonomitë tona, duke iu përgjigjur kërkesës së fortë në të gjithë Evropën, veçanërisht nga sektori privat,” tha presidentja Calviño.

“Por ne e dimë se sfidat me të cilat përballemi kërkojnë një përpjekje jashtëzakonisht të madhe dhe ne mund ta ndihmojmë Evropën të arrijë pikërisht këtë. Vetëm këtë javë, Grupi i BEI-t po njofton projekte të reja në Suedi, Rumani, Itali, Spanjë, Francë, Poloni, Lituani dhe Bullgari për të mbështetur teknologjitë e reja të gjelbra nga stacionet e karikimit deri te hekurudhat, prodhimi i gjelbër i çelikut dhe zgjidhjet e energjisë diellore”

Financimi Grupit në vitin 2023 pritet të mbështesë rreth 320 miliardë euro në investime, të prekë 400 000 kompani dhe të mbështesë 5,4 milionë vende pune. Mbi 45% e financimit të Grupit brenda BE-së shkoi për të mbështetur rajonet e kohezionit, dhe afro 20% e financimit shkoi për rajonet më pak të zhvilluara në BE, ku produkti i brendshëm bruto për frymë është më e ulët se 75% e mesatares së BE-së. Grupi do të ndajë rezultatet për vitin 2023 sipas vendeve më 1 shkurt 2024.

“Grupi i BEI-t është vlerë e shtuar për çdo vend dhe çdo sektor të ekonomisë së BE-së. Ne japim një kontribut të fortë për novacionin, gjithëpërfshirjen, sigurinë ekonomike dhe konkurrencën në kontinentin tonë dhe sigurohemi që të punojmë me partnerë kudo për të rritur ndikimin e punës sonë të përbashkët”, tha presidentja Calviño.

Lexo gjithashtu
Total
0
Share