Pritet të jetë kryeministrja e parë femër në vend
Udhëheqësja e ekstremit të djathtë në Itali, Giorgia Meloni ka shpallur fitoren në zgjedhjet e Italisë dhe pritet që shumë shpejt të shpallet kryeministrja e parë femër në vend. Meloni pritet që të formojë qeverinë më të djathtë të Italisë që nga Lufta e Dytë Botërore.
Pas zgjedhjeve, Meloni tha se partia e saj “Vëllezërit e Italisë” do të qeveriste për të gjithë dhe nuk do të tradhtonte besimin e njerëzve.
“Italianët kanë dhënë një mesazh të qartë në favor të një qeverie të krahut të djathtë të udhëhequr nga “Vëllezërit e Italisë”, u tha ajo gazetarëve në Romë, teksa mbante një tabelë në duar ku shkruhet “Faleminderit Itali”.
Ajo parashikohet të fitojë deri në 26 % të votave, bazuar në rezultatet e para.
Aleanca e krahut të djathtë të Melonit, e cila po ashtu përfshin qendrën e djathtët të ish-Kryeministrit të Italisë Silvio Berlusconi “Forca Italia”, tani duhet të ketë kontrollin e Senatit dhe Dhomës së Deputetëve.
Vendimi se kush do të bëhet lideri i ardhshëm i Italisë i takon presidentit Sergio Mattarella dhe kjo do të marrë pak kohë./tvklan.al