Uashingtoni ndjek nga afër situatën pas grushtit të shtetit në Niger

Presidenti Joe Biden bëri thirrje të enjten për lirimin e menjëhershëm të presidentit të Nigerit Mohamed Bazoum, i cili u rrëzua javën e kaluar nga një grusht shteti ushtarak. Presidenti Biden tha në një deklaratë se Nigeri “po përballet me një sfidë të rëndë për demokracinë e tij”. Ai tha se populli i Nigerit e shprehu vullnetin përmes zgjedhjeve të lira dhe të ndershme – dhe kjo duhet të respektohet. Shtëpia e Bardhë thotë se po vëzhgon nga afër zhvillimet, ndërsa ambasada amerikane po përgatitet të evakuojë punonjësit nga ky vend i Afrikës Perëndimore. Analistët thonë se Moska dhe Pekini po ndjekin me vëmendje zhvillimet në kryeqytetin Niamey, duke kërkuar hapësira për të zgjeruar ndikimin e tyre në këtë vend.

Këto imazhe po bëhen fatkeqësisht të zakonshme në vendet e Afrikës Perëndimore: grupe ushtarakësh të pakënaqur me sigurinë e dobët dhe qeverisjen e keqe, burgosin presidentin, vënë në kontroll transmetimet dhe marrin drejtimin e vendit.

E njëjta gjë ndodhi në Mali në vitin 2021, më pas në Guinea, në vitin 2022 në Burkina Faso dhe muajin e kaluar në Niger.

“Sot më 26 korrik 2023, ne forcat e mbrojtjes dhe sigurisë, të riorganizuara si Këshilli Kombëtar për Mbrojtjen e Vendit, CNSP, kemi vendosur t’i japim fund regjimit që ju e njihni”, tha në transmetimet televizive zëdhënësi i grushtit të shtetit, koloneli Amadou Abdramane.

Por ky grusht shteti në Afrikën Perëndimore është ndryshe, ndërsa Uashingtoni po ndjek me vëmendje nëse diplomacia përmes forcës, do ta kthejë në pushtet presidentin e rrëzuar, për të cilin Departamenti i Shtetit ka shprehur mbështetje të palëkundur.

Kjo për shkak se Nigeri është një partner i rëndësishëm i Shteteve të Bashkuara në luftën kundër ekstremizmit islamik në Sahel, me një bazë strategjike dronësh dhe qindra trupa në atë vend.

Zëri i Amerikës bisedoi këtë javë me ambasadorin e Nigerit në Shtetet e Bashkuara Mamadou Kiari Liman-Tinguiri.

“Rreth dy javë më parë, një ekip ushtarakësh ishte këtu për takime me zyrtarët e Shteteve të Bashkuara. Ne shkuam në Pentagon dhe Departamentin e Shtetit. Ditë më vonë situata në Niger u përkeqësua. Çfarë do të thotë kjo? Nuk ka kuptim”.

Analistët vënë në dukje se ky rajon i brishtë dhe i pasur me burime është gjithashtu epiqendër e ndikimeve të fuqive të tjera të mëdha, ndërsa grupi mercenar rus Wagner po zgjeron territoret në vendet fqinje.

Zëri i Amerikës bisedoi me zotin Sean McFate, profesor në Universitetin e Sirakuzës dhe në Universitetin e Mbrojtjes Kombëtare.

“Në Afrikë ka patur një luftë të tërthortë të vazhdueshme gjatë pesë viteve të fundit. Kjo është një betejë e re për Afrikën. Forcat e jashtme janë Shtetet e Bashkuara, Rusia dhe Kina. Rusia kërkon të dalë fitimtare duke përdorur grupin Wagner. Kina po përdor luftën ekonomike të quajtur nisma Një Brez Një Rrugë”.

Departamenti i Shtetit thotë se nuk ka parë prova për përfshirjen e mercenarëve rusë, por ka të ngjarë që ata të përpiqen të përfitojnë nga paqëndrueshmëria.

“Nuk do të habitesha nëse Wagner-i do të përpiqej ta shfrytëzonte këtë situatë në favor të tij, pasi ata janë përpjekur të shfrytëzojnë situata të tjera në Afrikë në avantazhin e tyre. Kur them në avantazhin e tyre, kam parasysh përfitimet financiare, si dhe përpjekjen e tyre për të zgjeruar ndikimin në kontinent”, tha zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Matthew Miller

Profesori Sean McFate thotë se dyshon që puçistët në Niamey do të thyhen nga presioni i Uashingtonit ose Perëndimit.

“Shumë afrikanë nuk i shohin Shtetet e Bashkuara si partner të përkushtuar. Ndikimi i Uashingtonit është i kufizuar dhe po sfidohet nga Rusia dhe Kina”.

Vendet perëndimore, përfshirë SHBA-në, i ndaluan menjëherë ndihmat për vendin pa dalje në det.

Organizata rajonale ECOWAS ( Komuniteti Ekonomik i Shteteve të Afrikës Perëndimore) u ka dhënë krerëve të grushtit të shtetit një afat deri të dielën për të rikthyer në pushtet presidentin dhe ka kërcënuar për përdorim force në të kundërtën./VOA

Lexo gjithashtu
Total
0
Share