U kap me 21 kg tritol, zbardhet dëshmia e Albi Mëcinit

“Nuk do kryeja vrasje. Do shkoja në Vlorë me pushime”

“Nuk kam asnjë njohje në Fier dhe do ikja në Vlorë me pushime”, kështu u tha hetuesve, Albi Mëcini i arrestuar me dyshimet se po përgatiste kushtet për një vrasje, me atë të shpërthimit të mbi 21 kg lëndë plasëse në Fier. Në dëshminë e tij para hetuesve, të siguruar nga Tv Klan, ai pretendon se nuk ka dijeni sendet e paligjshme të gjetura në makinën e tij duke u shprehur se ai është një nga mjetet që i vëllai lëshonte me qira.

“Nuk kam dijeni për dy çanta të tilla dhe nuk i kam parë ndonjëherë ato se si ishin. Unë nuk kam dijeni për këta kapuçë që ndodheshin në automjetin që unë po udhëtoja. Nuk kam dijeni për persona të tjerë që të kenë qenë në automjetin tim.”

29-vjeçari, që sipas dosjes hetimore në momentin e konstatimit nga policia ka tentuar të largohet, ka rrëfyer para hetuesve edhe të shkuarën e tij.

“Për herë të parë jam dënuar në vitin 2013. Unë doja të ndihmoja shtetasin Admir Tafili, i cili ishte duke vuajtur dënimin me burgim në burgun e Drenovës në Korçë. Më pas jam dënuar në vitin 2018, për vjedhje të çantës së një shtetasi. Çantën e vodhi një shoku im, por unë e mora përsipër. Më pas jam dënuar përsëri për vjedhje, vodha një banesë në Paris, Francë. Në Francë u dënova 3 muaj burg”.

Policia gjeti në dy makinat e sekuestruara pranë dy çantave me lëndë plasëse, disa shenja gishtash dhe materiale biologjike, me të cilat po punohet për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë ngjarje.

Tv Klan

Lexo gjithashtu
Total
0
Share