Një vajzë 5-vjeçare, trupi i së cilës u gjet brenda një valixheje të mbushur me çimento është identifikuar pas 35 vitesh. Sky News raporton se nëna dhe bashkëjetuesi i saj janë akuzuar për vrasjen e së miturës.
Testet e ADN-së dhe një e dhënë kyçe ishin çelësi që policia e Georgia më në fund të arrinte të identifikonte viktimën që për dekada të tëra është quajtur Baby Jane Doe ndërsa emri i saj është Kenyatta Odom.
Trupi i saj u gjend më 21 Dhjetor 1988 rreth 110 milje larg Albany, Georgia mes orendive të vjetra dhe mbeturinave të tjera të lëna në një pyll.
Vajza ishte e mbështjellë me një batanije kafe, ishte futur në një çantë palestre dhe më pas në një valixhe të mbushur me çimento. Kjo e fundit ndodhej brenda një rafti.
Një burrë u pengua në raftin e mbushur me çimento. Ai telefonoi menjëherë komisariatin dhe kështu nisi një hetim që zgjati për më shumë se 3 dekada.
“Baby Jane Doe nuk është më pa emër, nuk është më e panjohur. Fëmija që u hodh në një grumbull mbeturinash është identifikuar dhe ne do të çojmë në vend drejtësinë”, u shpreh agjenti hetimor Jason Seacrist.
Nëna e vajzës, 56-vjeçarja Evelyn Odom dhe Ulyster Sanders, bashkëjetuesi i saj në atë kohë u arrestuan dhe u akuzuan për vrasje, fshehjen e krimit, dëm të shkallës së parë ndaj fëmijëve etj.
Një ndër sherifët që u dërgua në vendngjarje ditën që u gjet trupi, Carl James, tha se “nuk ishte i përgatitur për atë që do të zbulonin”. Ai shton se çështja kishte qenë gjithmonë një interes i veçantë personal dhe përgjatë dekadave, hetuesit ndoqën qindra pista e të dhëna që nuk i çonin askund.
Dekadat kaluan dhe autoritetet nuk arrinin të gjenin përputhjen me ndonjë nga fëmijët e humbur dhe vetëm një kopje e një gazete lokale jepte një të dhënë për origjinën e fëmijës.
Dhjetorin e shkuar, policët bënë një tjetër apel publik për ndonjë informacion dhe një dhurues anonim ofronte 5000 Dollarë. Në Janar, ata u telefonuan nga një grua me të dhënën kyçe.
“Ajo e dinte se kishte qenë një fëmijë i humbur dhe se nëna e saj kishte thënë se e kishte dërguar të jetonte me të atin. Ky person nuk e besoi kurrë atë histori”.
Kjo e dhënë i ndihmoi hetuesit që më në fund të identifikonin vogëlushen dhe të akuzonin personat përgjegjës për vdekjen e saj.
Autoritetet nuk kanë dhënë asnjë koment për motivin e mundshëm të vdekjes së vajzës, por mediat e huaja kanë shkruar se akuza thotë që fëmija ka vdekur pasi ia kanë vendosur këmbët në ujë të nxehtë./tvklan.al