Kjo që shihni në foto është Ana, shqiptarja që humbi jetën gjatë një aksidenti në punë në qytetin Mesolongi të Greqisë. Viktima, rreth 50 vjeç, kishte shkuar për të pastruar makinerinë që pret mishin në një dyqan. Por fatkeqësisht, gruas shqiptare iu bllokuan flokët tek makineria dhe humbi jetën.
Menjëherë pas ngjarjes tragjike, policia ka arrestuar pronarin e objektit ku punonte shqiptarja. Trupi i Anës është dërguar në Patra për autopsi, ndërsa varrimi pritet të bëhet në ditët në vijim në Evinochori.
Sipas njerëzve që e njihnin, ajo punonte me të bijën nga mëngjesi deri në mbrëmje për të siguruar jetesën.
“Vajza e saj po pastronte përpara dhe nëna ishte në kuzhinë. Në një moment vajza dëgjoi zëra. Ajo vrapoi dhe pa nënën e saj në këtë gjendje”, tha një i afërm i viktimës për protothema.gr.
“Vajza e saj doli në rrugë dhe bërtiste ‘ndihmë’”, raportojnë personat që ndodheshin aty.
Një kalimtar ka hyrë në dyqan dhe ka zbuluar tmerrin që kishte ndodhur. Vajza më pas filloi të bërtiste, pa mundur të besonte se çfarë kishte ndodhur para syve të saj. Mediat greke shkruajnë se më pas, vajza u dërgua në spital në gjendje shoku. Ajo dhe vëllai i saj 10-vjeçar ndodhen që nga mëngjesi i djeshëm në shtëpinë e një të afërmi.
Gruaja prej dy vitesh jetonte në Mesolongji me nënën dhe dy fëmijët, vajzën 18-vjeçare dhe djalin 10-vjeçar, pasi u largua nga Shqipëria pas ndarjes me bashkëshortin.
Hetimet paraprake për zbardhjen e saktë të shkakut të aksidentit po kryhen nga shërbimet policore./tvklan.al