Gjykata e Shkodrës ka caktuar masën e sigurisë arrest shtëpie për 4 efektivët e policisë të ndaluar me urdhër të Agjencisë së Mbikqyrjes Policore, pasi akuzoheshin për favorizim të kultivimit të kanabisit në Velipojë.
N/Komisar Zamir Sytari 40 vjeç, me detyrë Shef i Stacionit të Policisë Velipojë; N/Komisar Arben Hoxha 45 vjeç, me detyrë Specialist për Hetimin e Krimeve në Stacionin e Policisë Velipojë; Inspektor Ergys Lohja 34 vjeç, me detyrë Ndihmës Specialist i Policimit në Komunitet, në Stacionin e Policisë Velipojë dhe inspektor Hysni Beqiri 53 vjeç, me detyrë Ndihmës Specialist i Policimit në Komunitet, në Stacionin e Policisë Velipojë, do të qëndrojnë deri në përmbyllje të plotë të hetimeve në arrest shtëpie.
Akuzat e ngritura ndaj tyre u zbehen në sallën e gjyqit, kur vetë efektivët kanë treguar se kanë qenë vetë këta të fundit që kanë zbuluar parcelën me kanabis, duke kryer më pas asgjësimin e 560 bimëve.
Prokurori i çështjes Albert Muçaj u tërhoq nga kërkesa për lënien e tyre në burg, duke pranuar arrestin shtëpiak, gjë që u pranua edhe nga kryesuesja e çështjes Irida Kacerja.
Ky nuk është rasti i parë që të tilla operacione që finalizohen me bujë, shfryhen më pas në gjykatë për shkak të provave që rrëzohen dhe dëshmive që japin vetë të akuzuarit. /tvklan.al