Partitë shqiptare të ndara në dy koalicione më të mëdha
Më 5 Mars të këtij viti në Komunën e Tuzit në Mal të Zi do të zhvillohen zgjedhjet e dyta lokale për këtë komunë, që prej ndarjes nga kryeqyteti, Podgorica në vitin 2019, me çka shqiptarët e Malit të Zi do ta drejtonin edhe një komunë në shtetin malazez, prëcjell KlanM.
Ndryshe nga katër vite më herët kur partitë shqiptare i bashkuan forcat për ta fituar këtë komunë, në këto zgjedhje shqiptarët janë ndarë në dy koalicione më të mëdha. Forumi Shqiptar – “Bashkim dhe Zhvillim” është koalicioni që përfshin 4 parti shqiptare, mes tyre ASH, LDSH, UNSH dhe LDMZ. Ky koalicion drejtohet nga kryetari aktual i komunës së Tuzit dhe kryetar i ASH-së, Nik Gjeloshaj.
Ndërsa nga ana tjetër, siç informon Klan Maqedoni, kemi Koalicionin shqiptar “Bashkë” i përbërë nga Partia Demokratike dhe FORCA.
Gjithashtu, një parti shqiptare, ajo e Unionit Demokratik Shqiptar është në koalicion me partinë e presidentit Milo Gjukanoviç.
Në këto zgjedhje do të garojnë gjithsej 7 lista zgjedhore.
- Forumi Shqiptar – “Bashkim dhe Zhvillim”nga 4 parti shqiptare (ASH, LDSH, UNSH dhe LDMZ).
- Koalicioni i përbërë nga PDS, SD, PB dhe UDSH me listën zgjedhore të quajtur “Rrugës së drejtë”.
- Koalicioni shqiptar “Bashkë” i përbërë nga Partia Demokratike dhe FORCA.
- Mali i Zi Demokratik “Alleksa Beçiq – Shtjefen Camaj – Demokratët – Së bashku jemi më të fortë”.
- Partia Popullore Socialiste e Malit të Zi, “Ndershmërisht për Tuzin”.
- Lëvizja për Tuz dhe Partia Socialdemokrate, “Me gjithë zemër për Tuz”.
- “PDP – Për gjeneratat e ardhshme”.
Të drejtë e vote në këto zgjedhje lokale në Tuz kanë 12.290 votues, 139 më shumë se në zgjedhjet parlamentare të 30 gushtit 2021. Zgjedhjet u shpallën në fund të dhjetorit të kaluar nga Presidenti i Malit të Zi, Milo Gjukanoviç.
Qytetarët zgjedhin mes listave për këshilltarë. Kuvendi i Tuzit përbëhet nga 32 këshilltarë, të cilët më pas me shumicë votash zgjedhin kryetarin e komunës. Partitë shqiptare para 4 vitesh fituan 16 mandate këshilltarësh, ndërsa koalicioni që zgjdhi Gjeloshajn në krye të komunës përbëhej prej 21 këshilltarësh./KlanMacedonia
Përgatiti: Albrim Hoxha