Turqia ka aplikuar për anëtarësim në Bashkimin Evropian që nga viti 1987, por ende pret për ta finalizuar atë. Që nga viti 2016, negociatat e pranimit kanë ngecur për arsye politike. Marrëdhëniet BE – Turqi u krijuan në vitin 1959. Edhe pse jo zyrtarisht pjesë e Bashkimit Evropian, Turqia është një nga partnerët kryesorë të BE-së.
Në vitin 2017, zyrtarët e BE-së shprehën pikëpamjen se politikat e planifikuara turke shkelin kriteret e Kopenhagës për pranueshmërinë për anëtarësim në BE. Më 26 qershor 2018, Këshilli i Çështjeve të Përgjithshme të BE-së deklaroi se “Këshilli vëren se Turqia është larguar më tej nga Bashkimi Evropian, prandaj negociatat e anëtarësimit të Turqisë kanë rënë në mënyrë efektive dhe nuk mund të konsiderohen kapitujt e mëtejshëm për hapje ose mbyllje dhe nuk parashikohet asnjë punë e mëtejshme drejt modernizimit të Bashkimit Doganor BE-Turqi”, një inciativë ku janë pjesë shtetet e BE-së dhe Turqisë.
Më 3 tetor 2005, BE-ja bëri një hap të guximshëm për zgjerim kur i hapi negociatat për anëtarësimin e Turqisë dhe Kroacisë.
Pas vitesh përgatitjesh, dy shtetet kandidate hapën zyrtarisht fazën tjetër të procesit të anëtarësimit. Kroacia u pranua në vitin 2013, ndërsa Turqia është ende në pritje.
Negociatat kanë të bëjnë me miratimin dhe zbatimin e trupit ligjor të BE-së, i njohur si acquis. Acquis është afërsisht 130 mijë faqe dokumente ligjore të grupuara në 35 kapituj dhe formon rregullat të cilat shtetet anëtare të BE-së duhet të respektojnë.
Si një vend kandidat, Turqia duhet të përshtatë një pjesë të konsiderueshme të legjislacionit të saj kombëtar në përputhje me ligjin e BE-së. Kjo do të thotë ndryshime thelbësore për shoqërinë që do të prekin pothuajse të gjithë sektorët e vendit, nga mjedisi te gjyqësori, nga transporti te bujqësia dhe në të gjitha shtresat e popullsisë. Megjithatë, vendi kandidat nuk ‘negocion’ vetë acquis communautaire pasi këto ‘rregulla’ duhet të miratohen plotësisht nga vendi kandidat. Për t’u bërë një shtet anëtar i BE-së, vendi kandidat duhet t’i afrojë institucionet, kapacitetet menaxhuese dhe sistemet administrative dhe gjyqësore në standardet e BE-së, si në nivel kombëtar ashtu edhe në atë rajonal.
Negociatat për anëtarësimin e Turqisë u bllokuan pasi Këshilli Evropian kishte konstatuar se vendi po shkonte drejt sundimit autokraktik dhe nuk po bënte përparim për t’i harmonizuar rregullat me BE-në.
Përveç Turqisë, janë edhe shtatë vende kandidate për anëtarësim në BE: Shqipëria, Mali i Zi, Serbia, Maqedonia e Veriut, Bosnjë e Hercegovina, Ukraina dhe Moldavia.
Ndërkohë, Kosova të mërkurën ka aplikuar për anëtarësim në BE. Aplikimi do t’i dorëzohet presidencës çeke një ditë më pas.