Turqia është e gatshme t’i ofrojë çfarëdo ndihme që Kosova ka nevojë, ka thënë Ministria e Jashtme turke pas sulmit në Ibër-Lepenc.
Ajo u ka bërë thirrje për shmangie të veprimeve që çojnë në përshkallëzim.
“Dënojmë fuqishëm sulmin e djeshëm në kanalin e ujit në Zubin-Potok në veri të Kosovës. Shpresojmë që autorët e sulmit të identifikohen dhe të dalin para drejtësisë sa më shpejt që të jetë e mundur. Shfrytëzojmë rastin që të shprehim solidaritetin me Kosovën dhe gatishmërinë tonë për të ofruar çfarëdo ndihme që mund të ketë nevojë”, thuhet në deklaratën e Ministrisë së Jashtme të Turqisë.
Sulmi mbrëmjen e 29 nëntorit në kanalin e ujësjellësit të Ibër-Lepencit në Varagë të Zubin-Potokut shkaktoi dëme të konsiderueshme, por ato u sanuan pjesërisht brenda orësh. Ai ndodhi më pak se 24 orë pas sulmit me granatë dore në ndërtesën e Komunës në Zveçan.
Autoritetet qendrore të Kosovës, për sulmin që kanë cilësuar terrorist, e bëjnë përgjegjëse Serbinë. Sulmet janë dënuar edhe nga shtete të tjera.