Parlamenti turk ka votuar unanimisht pro, anëtarësimi është ratifikuar nga të 30-të vendet e Aleancës
Parlamenti i Turqisë votoi njëzëri pro anëtarësimit të Finlandës në NATO. Tashmë të 30 vendet e Aleancës kanë ratifikuar kërkesën e Finlandës për t’u anëtarësuar.
Hungaria e kishte dhënë miratimin për Finlandën të hënën dhe pritej vetëm ratifikimi nga ana Turqisë për të përmbyllur procesin e anëtarësimit që kërkon pranim unanim nga ana e anëtarëve aktualë të NATO-s. Kështu Finlanda bëhet vendi i 31-të që do të bëhet anëtar i Aleancës më të madhe ushtarake në botë.
Finlanda dhe Suedia paraqitën kërkesën për anëtarësim në aleancën ushtarake pasi Rusia filloi agresionin ndaj Ukrainës vitin e kaluar. Kërkesa e tyre për anëtarësim u ratifikuan në një samit të aleancës në Korrik të vitit të kaluar. Në këtë hark kohor, vendet anëtare të NATO-s kanë kaluar procesin për të dhënë miratimin përfundimtar për Finlandën dhe Suedinë.
Shumica e vendeve e dha miratimin, por procesi u ngadalësua pas kundërshtimeve nga Turqia. Presidenti Erdogan e kushtëzoi miratimin me plotësimin e disa kërkesave për luftën ndaj disa organizatave që strehoheshin në dy vendet dhe që Turqia i cilëson si terroriste.
Përfaqësuesit nga të 3 vendet u takuan në fillim të këtij muaji për të zgjidhur çështjet e tyre të pazgjidhura, por Turqia dhe Suedia ende nuk e kanë gjetur gjuhën e përbashkët.
Klan News