Turqia dhe Ukraina nënshkruan sot një memorandum për rindërtimin e infrastrukturës ukrainase të dëmtuar për shkak të luftës me Rusine.
Marrëveshja u nënshkrua nga ministri turk i Tregtisë Mehmet Muş dhe ministri i Infrastrukturës i Ukrainës Oleksandr Kubrakov në qytetin ukrainas të Lviv, pas bisedimeve dypalëshe midis presidentit turk Recep Tayyip Erdoğan dhe atij ukrainas Volodymyr Zelenskyy.
“Marrëveshja parashikon pjesëmarrjen e palës turke në procesin e rindërtimit të Ukrainës”, tha në një deklaratë Ministria e Infrastrukturës e Ukrainës.
Ministria tha se do të formohet një grup i përbashkët pune për tërheqjen e investimeve turke dhe zhvillimin e projekteve specifike për bashkëpunim.
“Strukturat e biznesit dhe qeverisë turke do të jenë në gjendje të zhvillojnë projekte të veçanta rindërtimi, si dhe të ofrojnë këshillim dhe ndihmë teknike”, thuhet më tej. AA