SHKAK DYSHOHET TË JETË BËRË PËRZIERJA E GAZIT
Po rritet numri i viktimave nga shpërthimi që ndodhi mbrëmë në një minierë në Turqi. Jetën e kanë humbur së paku 40 minatorë, derisa ekipet e shpëtimit vazhdojnë kërkimet për të mbijetuarit.
Ka shkuar në 41 numri i viktimave nga shpërthimi i një miniere qymyri në veri të Turqisë ndërsa 11 të plagosur po marrin ndihmën e nevojshme mjekësore në spitalet në Bartin dhe Stamboll, prej të cilëve 6 janë në gjendje të rendë shendetësore.
Operacionet e kërkim-shpëtimit mundën të gjenin edhe personin e fundit i cili ishte i bllokuar në galerinë e minierës. Autoritet turke kanë mundur të shpëtojnë 58 punëtorë nga 110 që ishin në total në momentin e shpërthimit.
Sindikata e punëtorëve të minierave ia atribuoi shpërthimin përzierjes së gazit të çliruar në minierë por zyrtarë të tjerë thonë se është shumë herët për të nxjerrë konkluzione mbi shkakun e aksidentit.
Presidenti Erdogan ashtu siç edhe kishte paralajmëruar më herët mbërriti në Bartin, në vendin ku ndodhi shpërthimi në minierë.
Ai u shpreh se hetimet do të përcaktojnë përgjegjësit. Sipas tij këto hetime tashmë kanë nisur në shumë drejtime. Erdogan njoftoi edhe ndihma për familjet e viktimave.
Për shkak të mungesës së masave të sigurisë në minierat turke ka pasur disa aksidente të rënda. Në një shpërthim në minierën e qymyrit në Provincën Manisa në rajonin e Egjeut në vitin 2014 humbën jetën 304 vetë.
GAZETARE: XHUANA LIKA