Qeveria shfuqizon regjimin pa viza për qytetarët e Rusisë gjatë sezonit veror
Shqipëria ka shfuqizuar heqjen e vizave për qytetarët e Federatës Ruse të cilët duan të vizitojnë vendin për arsye turistike. Vendimi është marrë gjatë mbledhjes së qeverisë ditën e enjte më 20 Prill, ku u rishikua lista e shteteve, qytetarët e së cilëve përfitonin nga një masë e tillë vetëm për sezonin verorë.
Sipas qeverisë ky vendim është një linjëzim me vendimet e Bashkimit Europian sa u përket shtetasve rusë. Vendimi i qeverisë shqiptare u pasqyrua dhe në faqen e ambasadës ruse në Tiranë në Facebook e cila publikoi një njoftim “tepër urgjent”, ku njoftonte për vendimin e Qeverisë Shqiptare duke shpjeguar se “për të vizituar Republikën e Shqipërisë është e nevojshme të aplikohet për vizë në përputhje me qëllimin e udhëtimit”.
Në faqen e saj zyrtare, Ambasada e Shqipërisë në Moskë duke ju drejtuar “qytetarëve të Federatës ruse të cilët kanë për qëllim të vizitojnë Shqipërinë”, i shpjeguar se shteti i tyre “është përjashtuar nga lista e vendeve, qytetarët e të cilëve mund të udhëtojnë pa viza nga 1 Maji deri më 30 Shtator”.
Vendimin e qeverisë shqiptare e ka përshëndetuar edhe ambasada ukrainase në Tiranës.
“Shqipëria anuloi regjimin pa viza turistike për qytetarët e Rusisë. Ne u jemi mirënjohës miqve tanë shqiptarë për solidaritetin dhe mbështetjen e Ukrainës në luftën kundër pushtuesve rusë”.
Në lidhje me këtë vendim të qeverisë, ka reaguar edhe ambasada ruse në Tiranë, e cila nuk është marrë me vendimin në vetvete, por ka kritikuar reagimin e Ambasadës Ukrainës në vendin tonë, duke e cilësuar si spekulativ.
“Siç na është shpjeguar në Ministrinë për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë, vendimi i Këshillit të Ministrave për të korrigjuar listën e vendeve, qytetarët e të cilave nuk do të mund të hyjnë në Shqipëri në periudhën nga 1 Maj deri më 30 shtator pa viza për qëllime turistike, u kushtëzua nga arsyet dhe rrethanat e ndryshme nga ato që misioni diplomatik ukrainas po përpiqet t’i imponojë opinionit publik”.
Sipas ambsadës ruse në Tiranë, gjatë vitit 2022 rreth 30 mijë qytetarë rusë vizituan Shqipërinë. Vlen të përmendet se edhe hyrja e qytetarëve shqiptarë në Federatën Ruse gjithashtu kryhet me vizë.
Regjimi i vizave veç qyterarëve të fedearës ruse është anuluar edhe për dy shtete të tjera.
Klan News