Disa punonjës të Zërit të Amerikës janë dërguar në pushim me pagesë, një ditë pasi presidenti Donald Trump nënshkroi një urdhër ekzekutiv që urdhëron shpërbërjen e shtatë agjencive federale, përfshirë atë që mbikëqyrë Zërin e Amerikës.
Punonjës të shumtë në Zërin e Amerikës, një transmetues mediatik ndërkombëtar që operon në më shumë se 40 gjuhë, e kanë ndarë me Reuters një email që i vendoste ata në leje administrative me paga dhe përfitime të plota “derisa të njoftoheshin për ndryshime”.
Agjencia e SHBA-së për Media Globale (USAGM), e cila gjithashtu financon Radion Evropa e Lirë, ende nuk ka dhënë komentet e saj për urdhrin.
Por, dihet se lëvizja vjen pas nënshkrimit të urdhrit nga Trump, që udhëzon USAGM dhe gjashtë agjenci të tjera pak të njohura që të reduktojnë operacionet e tyre në minimumin e mandatuar nga ligji, duke thënë se ishte e nevojshme të tkurret burokracia.