FAMILJARET E ISH-PRESIDENTIT KANE MBIVLERESUAR PASURITE PER TE SIGURUAR FINANCIME TE PALIGJSHME
Ish presidenti amerikan dhe kompania e tij akuzohen se mashtruan bankat duke mbivlerësuar asetet e tyre për të siguruar financime të paligjshme. Kjo u bë e ditur nga një gjykatës në Nju Jork pas një padie civile të ngritur nga prokurorja e përgjithshme.
Një gjykatës i Nju Jorkut zbuloi se Donald Trump dhe familjarët e tij në biznes kanë fryrë me mashtrim vlerën e pronave dhe aseteve.
Gjykatësi Arthur Engoron tha se ish-presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka kryer mashtrime për vite me rradhë gjatë ndërtimit të perandorisë së pasurive të paluajtshme.
Engoron urdhëroi gjithashtu anulimin e certifikatave që lejojnë disa nga bizneset e Trump, përfshirë Organizatën Trump, të operojnë në Nju Jork. Ai sqaron detajet se si Trump, djemtë e tij të rritur Donald Jr. dhe Eric, Organizata Trump dhe të tjerë mashtruan bankat dhe kompanitë e sigurimeve duke ekzagjeruar vlerën e pronave në dokumentet e përdorura për të bërë marrëveshje dhe për të siguruar financime të paligjshme.
“Këto taktika kaluan kufirin dhe shkelën ligjin”. Ai pretendon se nëse vlerat e pronës janë rritur në vite që nga momenti i dorëzimit të pasqyrave financiare, atëherë numrat nuk janë fryrë në kohën kur janë dorëzuar”, por kjo nuk është e vërtetë”, shprehet gjykatësi Engoron mbi justifikim e Trump.
Trump ka mohuar të ketë kryer mashtrime ndërsa tha se ka planifikuar të apelojë vendimin. Në një postim në platformën e tij “Truth Social”, Trump i quajti akuzat “qesharake dhe të pavërteta” si dhe një gjueti shtrigash në një nivel që s’ është parë kurrë më parë.
Pohimet e gjykatësit erdhën pas një padie civile të ngritur nga prokurorja e përgjithshme e Nju Jorkut, Letitia James. Ajo e paditi Trumpin në shtator të vitit të kaluar duke e akuzuar ish-Presidentin dhe kompaninë e tij se kanë gënjyer për rreth një dekadë për vlerat e aseteve, duke përfshirë këtu rezidencën e tij në Mar-a-Lago, apartamentin në majën e Trump Toëer dhe ndërtesa të tjera zyrash dhe fusha golfi.
Sipas prokurores, pasuria neto e Trump është rritur nga 2.23 miliardë dollarë deri në 3.6 miliardë dollarë. Gjyqi i radhës për këtë çështje pritet të zhvillohet më 2 tetor, por saga e përballjes me drejtësinë për Trump dhe kompaninë e tij sa i përket fryrjes së paligjshme të pasqyrave financiare mund të zgjasë deri në dhjetor.
Trump gjithashtu përballet me një mori çështjesh të tjera gjyqësore. Ai është deklaruar i pafajshëm për veprat në katër aktakuza që e akuzojnë atë për përpjekje për të përmbysur humbjen e tij në zgjedhjet e vitit 2020, grumbullimin e materialeve të klasifikuara dhe fshehjen e pagesave për një yll e filmave për të rritur Stormy Daniels.