Trump paraqet planet për president në 2024

Gjatë një tubimi në Iowa ish-presidenti amerikan deklaroi se ky është viti kur republikanët do të marrin Senatin

Ish-presidenti Donald Trump gjatë një tubimi në Iowa ka bërë të ditur për një tjetër rikthim të fuqishëm në politikë në vitin 2024. Trump mbajti fjalimin teksa po bën fushatë për kandidatët republikanë në zgjedhjet afatmesme të javës së ardhshme.

“Përpara se të flasim për vitin 2024, duhet të korrim një fitore historike për republikanët në 8 nëntor. Pikërisht këtu në Iowa ju keni mundësinë të rizgjedhni një nga anëtarët më të fortë, më të ashpër dhe më të guximshëm të Senatit të Shteteve të Bashkuara dhe ai është një dhe i vetëm Chuck Grassley.Ky është viti që ne do të rimarrim shtëpinë. Ne do të marrim përsëri Senatin. Ne do të rimarrim Amerikën. Në vitin 2024, më e rëndësishmja, ne do të marrim të mrekullueshmen Shtëpinë e Bardhë”, ka thënë Trump.

Mediat ndërkombëtare shkruajnë se Trump synon të shpallë fushatën e tij të rizgjedhjes menjëherë pas zgjedhjeve afatmesme dhe është vënë në kërkim të një stafi të ri.

“Ne jemi vetëm pesë ditë larg zgjedhjeve më të rëndësishme afatmesme në historinë amerikane. Ne kemi nevojë që të na tregojë se e majta radikale nuk mund ta manipulojë ose ta vjedhë atë. Shumë më mirë se votimi me postë është votimi në dhe në ditën e zgjedhjeve”, ka thënë Trump.

Parashikuesit dhe sondazhet paraprake tregojnë se ka shumë të ngjarë që republikanët të fitojnë një shumicë në Dhomën e Përfaqësuesve të SHBA-së dhe gjithashtu të kenë një mundësi për të marrë kontrollin e Senatit, gjë që do t’u jepte atyre fuqinë për të bllokuar axhendën legjislative të presidentit Joe Biden.

Shpresat e demokratëve janë zbehur nga shqetësimet e votuesve për inflacionin e lartë dhe popullaritetin e ulët që ka aktualisht Biden. Analistët shprehen se Trump mbetet gjithashtu i papëlqyeshëm pas mandatit të tij katërvjeçar që përfundoi me sulmin e 6 janarit 2021 ndaj Kapitolit dhe deklaratave të tij të vazhdueshme në lidhje me vjedhjen e votave kur Biden u shpall president i SHBA-ve.

Klan News

Lexo gjithashtu
Total
0
Share