Joe Biden dhe Donald Trump, dy pretendentët kryesorë për kandidaturën presidenciale në partitë e tyre fituan bindshëm zgjedhjet paraprake të Michiganit.
Megjithatë, mediat janë përqëndruar tek gara paraprake e demokratëve, ku qasja e administratës Biden ka ndikuar në një rritje ekstreme të numrit të votuesve të pavendosur.
Nga 10 mijë që parashikoheshin, numri i tyre shënoi gati 60 mijë, kjo pas protestës së komunitetit arabo-amerikan ndaj politikës së butë të Presidentit Biden ndaj Izraelit. Shumë prej pjesëtarëve të komunitetit arabo-amerikan, që e kanë përkrahur Bidenin më 2020, tani janë të zemëruar. Michigani është një prej shteteve federale amerikane me shifrat më të larta të komunitetit arabo-amerikan.
Lufta në Rripin e Gazës po ndikon negativisht në mbështetjen ndaj Joe Biden, pasi edhe komuniteti hebre është i pakënaqur. Kjo u duk qartë edhe në një reagim të Kryeministrit izraelit Benjamin Njetanjahu, i cili duke iu përgjigjur thirrjeve të vazhdueshme ndaj Tel Avivit për të ndalur luftën, tha se 82% e amerikanëve mbështesin Izraelin përballë Hamasit.
Ndërsa në kampin republikan, Donald Trump shënoi një tjetër fitore bindëse përballë Niki Hejlit, duke ngritur pikëpyetje për vlerën që ka pjesëmarrja e mëtejshme në garë e saj, kur Trump po konsolidon gjithnjë e më shumë pozitat si kandidat i republikanëve.
Tv Klan