Tri ndeshje me tre trajnerë të ndryshëm – historiku i përballjeve mes Kosovës dhe Rumanisë

Kosova sot (e premte) do të luajë një ndeshje me rëndësi jetike ndaj Rumanisë në kuadër të Ligës së Kombeve.

‘Dardanët’ kanë udhëtuar për në Bukuresht, aty ku me fillim nga ora 20:45 do të kenë përballë rumunët, sfidë kjo e cila do të vendosë fatin e djelmoshave tanë në këtë edicion të Ligës së Kombeve.

Duke marrë parasysh situatën në tabelë, të besuarit e Franco Fodës janë të obliguar që të marrin pikët e plota, ose do të marrin fund shpresat për kualifikim nga vendi i parë.

Sidoqoftë, përballja e sotme nuk do të jetë e para mes këtyre dy kombëtareve, pasi ato janë përballur në tri raste me njëra-tjetrën.

Ajo që e bën më interesante këtë fakt është se në të tria këto ndeshje, Kosova ka pasur tre përzgjedhës të ndryshëm –  Alain Giresse, Primoz Gliha dhe Franco Foda.

Kosovë 0-0 Rumani (16 qershor 2023)

Përballja e parë mes këtyre dy kombëtareve daton në 16 qershor të vitit të kaluar, ku asokohe në krye të Kosovës ishte përzgjedhësi francez Alain Giresse. Kjo ndeshje ishte e vlefshme për kualifikueset për Kampionatin Evropian 2024.

Rumani 2-0 Kosovë (12 shtator 2023)

Kjo ishte përballja e dytë mes Kosovës dhe Rumanisë, po ashtu e vlefshme për kualifikueset për Kampionatin Evropian 2024, por kësaj radhe në krye të ‘Dardanëve’ ishte përzgjedhësi Primoz Gliha i cili kishte marrë drejtimin përkohësisht pas shkarkimit të Alain Giresse.

Kujtojmë se kjo sfidë ishte shoqëruar me incidente të shumta, pasi tifozët rumunë kishin shfaqur pankarta me mbishkrime nacionaliste.

Kosovë 0-3 Rumani (6 shtator 2024)

‘Dardanët’ u mposhtën në stadiumin ‘Fadil Vokrri’ në shtator të këtij viti nga Rumania, ndeshje e vlefshme për Grupin C të Ligës së Kombeve.

Sot (e martë) do të jetë testi i dytë për Franco Fodën ndaj këtij kundërshtari dhe na mbetet të shpresojmë që kësaj radhe rezultati do të jetë në favorin tonë./Telegrafi/

Lexo gjithashtu
Total
0
Share