OBSH ka ripërsëritur thirrjen për vendosjen e maskave në ambiente të mbyllura pasi po rriten edhe shtrimet në spitale
Organizata Botërore e Shëndetësisë ka deklaruar se rastet e koronavirusit janë trefishuar në të gjithë Europën në gjashtë javët e fundit, duke përbërë gati gjysmën e të gjitha infeksioneve në nivel global. Normat e shtrimit në spital janë dyfishuar gjithashtu, megjithëse pranimet në kujdesin intensiv mbeten të ulëta.
Në një deklaratë, drejtori i OBSH-së për Evropën, Dr. Hans Kluge, e përshkroi Covid-19 si “një sëmundje të keqe dhe potencialisht vdekjeprurëse” që njerëzit nuk duhet ta nënvlerësojnë. Ai tha se nënvariantet e Omicron po nxisin valë të reja sëmundjesh në të gjithë kontinentin dhe se infeksionet e përsëritura potencialisht mund të çojnë që Covid-19 të zgjasë në kohë.
Vetëm javën që lanë pas u raportuan 3 milionë infektime me Covid-19 dhe rreth 3 mijë njerëz kanë humbur jetën në kontinentin europian. Globalisht, rastet e Covid-19 janë rritur gjatë pesë javëve të fundit, edhe pse vendet kanë zvogëluar testimet.
“Me rastet në rritje, ne po shohim gjithashtu një rritje të shtrimeve në spital, të cilat janë vendosur të rriten më tej vetëm në muajt e vjeshtës dhe dimrit. Kjo paraqet një sfidë të madhe për punonjësit shëndetësorë në vend”, tha Kluge.
Në fillim të kësaj jave, redaktorët e dy revistave mjekësore britanike thanë se Shërbimi Shëndetësor Kombëtar i Britanisë së Madhe nuk po arrinte të adresonte problemet e vazhdueshme të përkeqësuara nga Covid.
OBSH bëri thirrje për një dozë të dytë përforcuese të vaksinës për këdo nga mosha 5 vjeç e lart me sistem të dobët imunitar, si dhe duke rekomanduar përdorimin e maskës në ambiente të mbyllura dhe në transportin publik, si dhe dezinfektim të mirë në shkolla, zyra dhe vende të tjera. Autoritetet shëndetësore kanë bërë të ditur se vendet e hemisferës jugore aktualisht po përjetojnë një sezon shumë aktiv të gripit që është i kombinuar me Covid.
Klan News