Tre shtetas indianë janë arrestuar dhe akuzuar për vrasjen e një lideri separatist Sikh në Kanada, i cili shkaktoi tensione diplomatike midis dy vendeve.
Hardeep Singh Nijjar, 45 vjeç, u qëllua për vdekje qershorin e kaluar nga persona të armatosur të maskuar, në një park makinash në një periferi të Vankuverit. Mosmarrëveshja diplomatike u përshkallëzua pasi kryeministri Justin Trudeau pretendoi se qeveria e Indisë mund të ketë qenë e përfshirë, por Nju Delhi e mohoi me forcë akuzën.
Ata u arrestuan në Edmonton, Alberta, ku edhe jetonin. Ata janë akuzuar për vrasje të shkallës së parë, tregojnë të dhënat e gjykatës, si dhe për komplot për të kryer vrasje. Të gjithë kishin qenë në Kanada për tre deri në pesë vjet, sipas autoriteteve. Hetimet do të vijojnë duke përfshirë lidhjet me qeverinë e Indisë.
Hetuesit kanë punuar me homologët në Indi, por bashkëpunimi ka qenë mjaft i vështirë dhe mjaft sfidues për disa vite. Policia tha se mund të ketë të tjerë të përfshirë në vrasje dhe mund të ketë arrestime ose akuza të tjera. Kryeministri kanadez Justin Trudeau është përballur gjithashtu me presion për të ofruar prova për pretendimin e tij për përfshirjen e Delhit.
Nijjar ishte një udhëheqës separatist Sikh që bëri fushatë publike për Khalistan krijimin e një atdheu të pavarur Sikh në rajonin Punjab të Indisë. Në vitet 1970, Sikët nisën një kryengritje separatiste në Indi, e cila pa mijëra të vrarë përpara se të shuhej. Që atëherë, lëvizja është kufizuar kryesisht në vendet me popullsi të madhe Sikh.
India në të kaluarën e ka përshkruar Nijjar si një terrorist që udhëhoqi një grup separatist militant akuza që mbështetësit e tij thonë se janë të pabaza. Ata thonë se ai kishte marrë kërcënime në të kaluarën.
Klan News