Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka shprehur ngushëllimet e tij për familjet e fëmijëve të vrarë dhe punonjësit e sigurimit në shkollën “Vladislav Ribnikar” në Beograd. Siç tha, nuk ngutej të bënte deklarata sepse donin të shihnin se ku gaboi sistemi dhe ku qëndron përgjegjësia e secilit, “sepse fëmijët nuk mund t’ua kthejmë prindërve”, përcjell Klan Kosova.
“Nga ky moment djali që bëri sulmin ndodhet në një vend të veçantë, do të vendoset në një pjesë të posaçme të Klinikës së Neuropsikiatrisë. Babai i tij si pronar i një arme që qartazi e mbante pa leje, e ruante në mënyrë të paligjshme, edhe pse e kishte te gjitha lejet, është arrestuar, edhe nëna e tij është marrë në paraburgim, sepse shumë histori dhe gënjeshtra, të pavërteta që përhapen nëpër rrjete, jam i detyruar të flas për shembuj dhe pasoja reale, dhe jo ato që qarkullojnë si thashetheme dhe bëhen e vërteta e pashkruar, edhe nëse ka pak lidhje me të vërtetën”, tha presidenti i Serbisë.
Ai theksoi se krimi ka ndodhur në një nga shkollat më të mira.
Babait të djalit që qëlloi, iu caktua masa e ndalimit për 48 orë. Autoritetet serbe thonë se djali e kishte përgatitur sulmin për një kohë të gjatë dhe VJT bëri të ditur se duke qenë se nuk i ka mbushur ende 14 vjeç, nuk mban përgjegjësi penale. Në Serbi nga e premtja deri të dielën do të shpallet tri ditë zie.