MPB bën të ditur se në orët e para të mëngjesit të sotëm policia ka arrestuar një 22-vjeçar nga Shkupi pasi i njëjti është kapur duke transportuar ilegalisht 11 emigrantë.
I riu nga Shkupi ka thyer traun e pikës pagesore në tentim për t’i ikur policisë, por që nuk ka arritur të arratiset.
“Sot (16.04.2023) rreth orës 06:10 në autostradën Gjevgjeli – Shkup, në afërsi të pikë pagesës në Demir Kapi, policët e stacionit policor të pikës kufitare “Bogorodicë” dhe stacionit policor për mbikëqyrje kufitare “Mihajllovë” kanë privuar nga liria I.B.(22). nga Shkupi. Gjatë kontrollit, në automjetin tip Audi me targa zvicerane, të cilin ai e drejtonte, janë gjetur 11 emigrantë nga Siria, disa prej tyre të mitur. Gjegjësisht, paraprakisht më herët ai nuk është ndalur në shenjë ndalimi, ka vazhduar lëvizjen dhe me veturën e tij ka thyer traun e pikës së pagesës. Pas marrjes së masave automjeti është ndalur ndërsa më pas I.B. tentoi të arratisej, por u kap dhe u ndalua”, thonë nga MPB.