“MUND TË PËSONI SIKURSE OLIVER IVANOVIQI!”
Politikania serbe nga Kosova, Rada Trajkoviq, gjatë një prononcimi për televizionin rajonal N1, ka deklaruar se shpërthimi I mbrëmshëm në veri të Mitrovicës, është një mesazh drejtuar serbëve të Kosovës, se mund të kenë fatin e njëjtë sikurse Oliver Ivanoviqi. Rada Trajkoviq ka rikujtuar se ekziston një dokument që ka mbërritur nga Qeveria e SHBA-së, për implikimin e Milan Radojiçiqit dhe Zvonko Veselinoviqit.
“Në fakt është një mesazh. Shteti vazhdon të lejojë dominimin e njerëzve që kanë marrë pjesë në organizimin e vrasjes së Oliver Ivanoviqit dhe këto lajme nuk janë surpriza. Janë mesazhe drejtuar serbëve të Kosovës – ne jemi këtu! Nëse nuk bëheni lojal, mund të keni fatin e Oliverit”, tha Rada Trajkoviq.
Në vendin e vrasjes së Oliver Ivanoviqit, para selisë së nismës qytetare “Serbia, Demokracia, Drejtësia” në veri të Mitrovicës, është përkujtuar përvjetori I vrasjes së tij. Nga kjo nismë kanë theksuar se pavarësisht paralajmërimeve se procesi gjyqësor për këtë vrasje mund të përfundojë në fund të marsit ose fillim të prillit, nuk ekzistojnë informacionet se kush e ka porositur vrasjen dhe se vrasësi është ende në liri.
“Lufta jonë po zgjatet shumë dhe nuk do të ndalemi së luftuari, për shkak se qytetarët në Kosovë dhe Serbi duhet ta dijnë se kush e kreu këtë vrasje politikisht të motivuar. Ekzekutorët duhet të dalin para drejtësisë sikurse porositësit e vrasjes”, tha Ksenija Bozhoviq.
Oliver Ivanoviqi është vrarë në orët e mëngjesit më 16 janar 2018, para selisë së partisë së tij në Mitrovicë të Veriut. Prokuroria në Prishtinë në fund të dhjetorit ngriti aktakuzë kundër M.M për shkak të disa veprave penale në rastin e vrasjes së Ivanoviqit.
Në Gjykatën e Prishtinës zhvillohet procedura kundër 6 serbëve të akuzuar për ndihmë gjatë vrasjes./KlanMacedonia