Prokuroria e Lartë Publike e Novi Sadit ka ngritur aktakuzë kundër 13 personave, përfshirë ish-ministrin e Transportit të Serbisë, Goran Vesiq, dhe ish-drejtoreshën e Infrastrukturës së Hekurudhave të Serbisë, Jelena Tanaskoviq, në lidhje me aksidentin tragjik në stacionin hekurudhor muajin e kaluar.
Streha prej betoni në stacionin e rinovuar rishtazi në qytetin verior të Serbisë u shemb më 1 nëntor, duke i lënë 15 njerëz të vdekur dhe dy të lënduar. Prokuroria në Novi Sad tha se 13 të dyshuarit ngarkohen me vepra penale si, krim i rëndë kundër sigurisë së përgjithshme, dhe shkaktim i rrezikut të përgjithshëm. Aktakuza është ngritur pas përfundimit të hetimeve për shembjen e strehës, sipas Prokurorisë. Aksidenti ndodhi pasi stacioni i trenit ishte rinovuar dy herë në vitet e fundit nga një konsorcium i katër kompanive i udhëhequr nga Kina. /tvklan.mk/