Me moton “Duart i keni të përlyer me gjak”, në Novi Sad kanë vazhduar protestat e qytetarëve, të cilët kërkojnë përgjegjësi për vdekjen e 14 personave gjatë rrënimit të konstruksionit të betonit në Stacionin Hekurudhor të Novi Sadit.
Aktivistë të grupit joformal “Agimi”, si organizatorë të protestës, kishin bllokuar një nga tri urat mbi Danub, kurse kanë akuzuar autoritetet serbe se para protestës kanë ndaluar tre aktivistë qytetarë dhe se nuk dihet vendndodhja e tyre.
Thonë se përgjegjësit për tragjedinë me 14 viktima duhet ta dijnë se qytetarët nuk do të heqin dorë nga kërkesat dhe do të insistojnë për dorëheqjen e Kryeministrit të Serbisë dhe Kryebashkiakut të Novi Sadit.
BRANISLAV GJORGJEVIQ – GRUPI JOFORMAL “AGIMI”
“Përgjegjësi politike dhe penale për Goran Vesiqin dhe Miosh Vuçeviqin dhe për secilin që ka qenë përgjegjësi për rikonstruimin e stacionit hekurudhor në Novi Sad. Dhe, kërkesa e tretë, të hapen të gjitha dokumentet dhe ta dijmë se kush dhe çka ka nënshkruar lidhur me rikonstruimin”
Ndërkohë, në Beograd është mbledhur Kryesia Qendrore e partisë në pushtet – SNS. Në këtë mbledhje ka marrë pjesë edhe Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq.
Ai ka mohuar pohimet e opozitës serbe se kanë infiltruar persona që të shkaktojnë trazira në protestën e Novi Sadit.
Vuçiqi paralajmëroi se do të gjenden përgjegjësit për vdekjen e 14 personave, kurse sic tha, nga marsi deri në qershor të vitit të ardhshëm do të ketë rikonstruim qeveritar ku për disa Ministra nuk do të ketë vend në kabinetin e ri qeveritar.
ALEKSANDAR VUÇIQ – PRESIDENT I SERBISË
“Përgjegjësi politike. Goran Vesiqi u dorëhoq edhe pse në kohën e tij nuk ishte miratuar vendimi. Edhe pse vështirë do të jetë të konstatohet se kush është përgjegjësi, kjo është detyrë e prokurorisë dhe gjykatës. Vesiqi u dorëhoq dhe kjo nuk duhet të jetë fundi’
mediat e pavarur dhe opozita serbe kanë shtruar pyetjen rreth përgjegjësisë për tragjedinë, duke rikujtuar se ndërtesa e stacionit hekurudhor fillimisht ishte rikonstruar më 2021, kurse pas disa muajve sërish kishte nis rinovimi I ndërtesës së njëjtë, që ishte hapur më 5 korrik të këtij viti.
Potencohet se rikonstruimin e ka bërë një kompani kineze, se çmimi I projektit ka qenë sekret, kurse vet objekti disa herë ka qenë I hapur në mënyrë solemne.