Me pikëllim të thellë mora lajmin për tragjedinë e rëndë në Koçan, ku shpërthimi i zjarrit mori jetën e mbi 50 personave dhe la të plagosur dhjetëra të tjerë – thuhet në reagimin e Kryeparlamentarit, Afrim Gashi.
“Ftoj autoritetet përkatëse të angazhohen me përkushtim për zbardhjen e plotë të rastit, ndërsa ne solidarizohemi plotësisht me ata që po kalojnë këto momente të vështira. Lutjet dhe mendimet tona janë me të gjithë të prekurit nga kjo tragjedi” – shkruan Gashi në Facebook.
Humbja e kaq jetëve të të rinjve është e pakompensueshme. Në këto momente të pikëllimit, mendimet tona janë me ata që humbën më të dashurit e tyre – shkruan Kryeministri Mickoski nëpër rrjetet sociale, duke bërë thirrje për unitet, humanitet dhe përgjegjësi.
“Populli dhe Qeveria do të bëjnë gjithçka brenda mundësive që të paktën ta amortizojnë dhimbjen e tyre dhe t`u ndihmojnë në këto momente të vështira. Qeveria është tërësisht e mobilizuar dhe do të bëjë gjithçka që duhet për t`u përballur me pasojat dhe konstatimin e shkaqeve për këtë tragjedi” – shkruan Kryeministri Mickoski nëpër rrjetet sociale.
Ky është një moment i rëndë për ne si shtet, një plagë që na prek të gjithëve. Si Zëvendëskryeministër i parë, premtoj se do të bëjmë gjithçka që është e mundur për një hetim të plotë, të drejtë dhe transparent, në mënyrë që të gjithë përgjegjësit të mbajnë llogari dhe drejtësia të vihet në vend – thuhet në mesazhin e ngushëllimit të Zv/Kryeministrit, Izet Mexhiti.
Ngushëllime ka shprehur edhe lideri I LSDM-së, Venko Filipçe. Sipas tij në këto momente me rëndësi është solidariteti dhe mbështetja.
“U bëj thirrje institucioneve, punonjësve shëndetësor, por edhe gjithë shoqërisë që të bëhemi bashkë për të ndihmuar viktimat, të lënduarit dhe familjarët e tyre. Si mjek jam në dispozicion për cdo ndihmë që mund ta jap në këtë situatë të rëndë” – ka shkruar Filipce në Facebook.
Për tragjedinë që ndodhi në Koçan, që si pasojë e zjarrit humbën jetën 51 persona dhe dhjetëra të tjerë u lënduan, ka reaguar kreu i BDI-së Ali Ahmeti.
“Sot, zemrat tona janë të tronditura dhe të mbushura me dhimbje nga tragjedia e tmerrshme që ka ndodhur në Koçan, ku humbën jetën më shumë se 50 persona dhe shumë të tjerë u plagosën. Ky është një moment i jashtëzakonshëm dhe i vështirë për të gjithë ne, dhe, në këto momente të dhimbjes së thellë, mendimet dhe lutjet tona janë me familjet e viktimave dhe me ata që po kalojnë nëpër këtë vuajtjeje”, ka shkruar Ahmeti.
Mëngjes i trishtë për të gjithë Të trishtuar thellë nga tragjedia e mbrëmshme në Koçan, ndajmë dhimbjen me familjarët e viktimave. Zoti qoftë me ta! – thuhet në mesazhin e ngushëllimit të Ziadin Sela, Kryetar i ASH.
Institucionet janë në dispozicion për të ndihmuar familjarët dhe të lënduarit dhe gjithashtu në gadishmëri të plotë për të plagosurit është edhe spitali i Tetovës.
Urojmë që të zbardhet rasti sa më shpejtë me shpresë se raste të tilla nuk do na përsëriten në të ardhmen! – shkruan Bilall Kasami në Facebook. /tvklan.mk/