Tragjedia në Koçan dhe jetët e humbura në diskotekën e djegur, kanë përplasur partitë e kampit politik shqiptar, BDI-në dhe VLEN-in.
Bashkimi Demokratik për Integrim thotë se për t1u zbardhur e vërteta e plotë duhet të sillet një formacion ekspertësh nga Komisioni Europian.
Sipas Integristëve, për momentin në Republikën e Maqedonisë së Veriut, Kryeministri e ka kapur plotësisht sistemin e drejtësisë, prokurorinë dhe gjyqësorin.
Shtojnë se është kryeministri ai që dikton dinamikën e proceseve, duke përcaktuar publikisht të dyshuarit dhe fajtorët që në fazën fillestare, madje edhe para se prokuroria të nisë hetimet.
BASHKIMI DEMOKRATIK PËR INTEGRIM – SPLITER
“Ky proces është shndërruar në një karikaturë të një hetimi ligjor, ku të gjithë janë fajtorë, përveç nëse janë nga VMRO-DPMNE. Republika e Maqedonisë së Veriut është një vend kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian, dhe për këtë arsye, ne do t’i drejtohemi Komisionit Evropian me kërkesën që një ekip ekspertësh të ndjekë nga afër këtë farsë hetimore, ku Qeveria akuzon gjithçka dhe këdo rreth saj vetëm për të mbrojtur ata që ishin përgjegjës për të parandaluar këtë tragjedi. Vetëm si shembull: në zinxhirin e fajtorëve, çuditërisht, nuk përfshihet edhe Ministri i Punëve të Brendshme, i cili 13 muaj para tragjedisë ishte në dijeni për ekzistencën e një klubi nate ilegal po edhe shumë zyrtarë të tjerë.
Ky reagim dhe kjo kërkesë e BDI-së ka provokuar edhe VLEN-in nga ku thonë se BDI kërkon komisione për të fshehur të vërtetën, jo për ta zbuluar atë!
VLEN
“VLEN nuk do të lejojë që e vërteta të manipulohet! Kërkojmë komision hetimor për të gjitha tragjeditë e viteve të fundit – nga Llaskarca, spitali modular, Besa Trans, e deri te Koçani. Nuk do të lejojmë që BDI të vendosë se cilat viktima meritojnë drejtësi dhe cilat duhet të harrohen! Mjaft më me manipulime! Qytetarët e dinë kush e krijoi këtë sistem të korruptuar dhe kush e ka mbuluar padrejtësinë për vite me radhë. VLEN do të vazhdojë të luftojë për drejtësi të vërtetë, jo për farsat politike.
Kjo nuk është kërkesa e vetme e BDI-së, sipas informacioneve, integristët ditëve në vijim do të paraqesin edhe kërkesa tjera lidhur me zbardhjen e plotë të tragjedisë në Koçan për të cilën thonë se padrejtësisht në burg po mbahet ish ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi.