Të ftuarit në emisionin Klan Debat në televizionin Klan Macedonia diskutuan mbi tragjedinë e fundit në Koçan.
Profesori universitar Qebir Avziu tha se tragjeditë në RMV ndodhin si pasojë e neglizhencës njerëzore.
“Numri më i madh i tragjedive në RMV janë shkaktuar nga neglizhenca njerëzore. Tragjedi të kësaj natyre ne kemi qe 3 dekada prej se ekziston ky shtet, ndaj jo 300 persona të përfshihen në pyetje por edhe 3000 duhet të përfshihen nëse është nevoja, sepse në një rast në Serbi janë marrë në pyetje mbi 11 mijë persona në një ditë. Në këtë rast janë ndërmarrë disa hapa për hetim, mirëpo nuk është e mjaftueshme”, tha profesori Avziu.
Për avokatin Ibrahim Bajrami, qeveria dhe prokuroria janë treguar të gatshëm të ndihmojnë në zbardhje të rastit.
“Hetimi i Prokurorisë është konfidencial. E kuptoj që veprojnë nën presion të mediave, mirëpo ndarja e të dhënave konfidenciale për rastin mund të pengojë në rast. Duhet të ruhet dhe prezumimi i pafajsisë për personat e dyshuar në rast. Edhe qeveria është treguar e gatshmë që të ndihmojë organet e prokurorisë për të ndihmuar në rast, mirëpo e them prap që duhet të ruhen të dhënat që po jepen si publike”, tha Bajrami.
Sipas analistit Ramadan Ramadani, ministrat e MPB-së dhe Ekonomisë duhet të jepnin dorëheqje.
“Ka vullnet për zbardhje të rastit dhe marrje të përgjegjësisë. Rasti I Koçanit mund të jetë përcaktuar për ndërtimin e një Maqedonia të re në aspektin institucional. Ministri në ministrinë e Punëve të Brendshme dhe ajo e Ekonomisë, duhet të jepnin dorëheqje menjëherë. Në këtë rast u mbulua gjithça me deklaratat e kryeministrit se sikur ai e mori përsipër përgjegjësinë morale të rastit”, tha Ramadani. /tvklan.mk