LSDM dhe BDI akuzojnë pushtetin për hetime selektive pas tragjedisë në Koçan, duke theksuar se funksionarët aktualë nuk janë përfshirë në hetim. LSDM pyet pse asnjë zyrtar aktual nuk është ndaluar, ndërsa BDI thotë se ata që duhet të mbajnë përgjegjësi janë të lirë.
Lidhja Social Demokrate e Maqedonisë dhe Bashkimi Demokratik për Integrim vazhdojnë me akuza ndaj pushtetit për hetimet selektive pas tragjedisë në Koçan. LSDM-ja thotë se hetimi selektiv nuk është hetim dhe si i tillë nuk do të sjellë drejtësi. Social Demokratët pyesin se pse asnjë funksionar aktual nuk është përfshirë në hetim.
LSDM
Deri më tani nuk ka asnjë zyrtar aktual, edhe pse tragjedia ka ndodhur pikërisht në kohën kur ata ishin në poste përgjegjëse. Drejtësia selektive nuk është drejtësi. Pse asnjë zyrtar aktual nuk përfshihet në hetimin e Koçanit? Pse nuk hetohen personat përgjegjës që kanë mbajtur pozita në MPB? Si është e mundur të injorohen ata që ishin në detyrë atë mbrëmje, në pozitë dhe ligjërisht të detyruar të vepronin – por nuk e bënë këtë?
Nuk ka përgjigje për pyetjet: a është e vërtetë që të shtatë punonjësit e Ministrisë së Brendshme të ndaluar nuk kanë qenë në detyrë natën e tragjedisë?
Këto pyetje janë legjitime dhe institucionet kompetente – Prokuroria Publike dhe Ministria e Brendshme – nuk guxojnë të heshtin.
Nga Bashkimi Demokratik për Integrim thonë se vazhdon edhe më tutje teatri i turpit. Integristët kanë numëruar zyrtarët që janë përgjegjës për ngjarjen në Koçan e të cilët sot nuk janë para drejtësisë.
BASHKIMI DEMOKRATIK PËR INTEGRIM
Ministri i Punëve të Brendshme – 13 muaj në detyrë, Drejtori për Siguri Publike – 9 muaj në detyrë, Ministri i Ekonomisë, 9 muaj në detyrë, Drejtori i Inspektoratit Shtetëror të Tregut, 9 muaj në detyrë, Drejtoria e të Ardhurave Publike, 9 muaj me drejtor të ri. Këta janë personat që kanë përgjegjësi të drejtpërdrejtë, institucionale dhe ligjore, për të ushtruar kontroll, mbikëqyrje dhe për të parandaluar tragjedi të këtij lloji. Këta janë njerëzit që sot kanë pushtet të ndikojnë mbi provat dhe të ushtrojnë presion ndaj dëshmitarëve.
Opozitarët akuza ndaj pushtetit lëshuan edhe ditën e djeshme. E kryeministri akuzave ju përgjigj po me kundërakuza, Mickoski tha se BDI-ja dhe LSDM-ja po tentojnë të keqpërdorin rastin për të ngritur pakënaqësinë e qytetarëve duke dashur rastit t’i japin ngjyrim etnik dhe politik.
Nuk mund të ketë drejtësi të vërtetë pa një hetim të plotë dhe të paanshëm, thonë nga LSDM, ndërsa nga BDI thonë se jemi dëshmitarë të një përmbysjeje të drejtësisë: në paraburgim janë ata që nuk janë në funksion, nuk kanë ndikim institucional, dhe nuk mund të pengojnë procesin. Pra, kjo nuk është drejtësi, thonë nga partia e Ahmetit.