Prokurori Republikan Ljupço Kocevski deklaroi se përgjegjësia e të dyshuarve do të konstatohet në bazë të provave të siguruara gjatë hetimeve.Sipas tij, pjesa më e madhe e të dyshuarve po merren në pyetje për veprën penale “vepra të rënda kundër sigurisë së njerëzve” për të cilën parashihen dënime me burg nga së paku 3 vjet kurse maksimalisht 20 vjet. Gjithashtu Prokuroria është duke hetuar edhe raste që lidhen me mitmarrje eventuale si dhe furnizim të jashtëligjshëm me mjete piroteknike.
Për momentin janë ndaluar dhe mbajtur nëpër stacione policore 14 persona – tha në press konferencë Prokurori Shtetëror, Ljupco Kocevski. Në mesin e tyre edhe ish-ministri Kreshnik Bekteshi.
Prokuroria për të gjithë do të kërkojë përcaktimin e masës së paraburgimit të shkurtër.
Në këtë fazë të procedurës mund t`u përcaktohet vetëm paraburgim 48 orësh, por pas hapjes formale të hetimeve, ekziston mundësia që paraburgimi të zgjatet për 30 ditë.
LJUPÇO KOCEVSKI – PROKUROR SHTETËROR
“Policia ka autorizime ligjore ta ndalojë dhe arrestojë cdo person që ka kontribuar për pasojat, pa marrë parasysh për cilin bëhet fjalë. Atë që mund ta premtoj është se hetimi do të jetë I shpejtë dhe efikas dhe të gjithë që kanë gabuar do të përgjigjen. I kuptoj qytetarët që kanë dhimbje të mëdha, por bëj thirrje se duhet të veprojmë me qetësi dhe të sigurohemi se asnjëherë nuk do të përballemi me gjëra të këtilla”
Kocevski tha se ekipi I prokurorëve është zgjeruar në 9 prokurorë publik, të cilët në mënyrë intensive janë duke vepruar në grumbullimin e provave.
Prokuroria urgjentisht ka kërkuar të kyçen edhe inspektorati i punës dhe I ndërtimit por janë angazhuar edhe ekspertë nga një institucion e arsimit të lartë.
LJUPÇO KOCEVSKI – PROKUROR SHTETËROR
“Dje dhe sot janë dhënë shumë urdhëra. Në mesin e tyre janë dhënë 59 urdhëra për obduksione, për sigurimin e video-materialeve, dokumentacionit të subjektit juridik, ekspertizë të celularëve. Me urdhëra të siguruara nga PTHP-ja janë kryer bastisje në Ministrinë e Ekonomisë dhe dy institucione tjera”
Prokurori Shtetëror Kocevski potencoi se të gjitha spekulimet për efekte potenciale të ndryshimeve të Kodit Penal I hedh poshtë si të pabaza dhe manipulative.