Protestuesit hodhën gurë dhe ngjyrë të kuqe në ndërtesën e kuvendit komunal të Novi Sadit gjatë një proteste të martën mbrëma, pas incidentit në stacionin hekurudhor të qytetit ku humbën jetën 14 njerëz. Autoritetet serbe kanë arrestuar 9 persona, kurse pushteti dhe opozita fajësojnë njëra-tjetrën për trazirat e dhunshme.
Me parulla “Jeni fajtorë, do të përgjigjeni”, “Burg e jo dorëheqje”, “Korrupsioni vret” e të ngjashme protestuesit u mblodhën mbërëmë para Kuvendit të Qytetit të Novi Sadit duke kërkuar përgjegjësi nga kompetentët lidhur me vdekjen e 14 personave që humbën jetën nga rrënimi I konstruksionit të betonit në stacionin hekurudhor të Novi Sadit.
Përplasjet mes protestuesve dhe policisë kishin zgjatur rreth tri orë kurse lëndime të lehta kanë marrë 10 policë dhe dy qytetarë.
Policia ka arrestuar disa pjesëmarrës të trazirave, kurse partitë opozitare dhe disa OJQ kanë njoftuar se janë arrestuar edhe protestues paqësor.
Pushteti e ka bërë opozitën fajtor për incidentet e cila kishte bërë thirrje për këtë protestë. Presidenti serb Aleksandar Vuçiq I cili kishte ardhë në Novi Sad natën e protestës tha se do të dënohen përgjegjësit për trazirat.
Nga opozita thonë se pas incidenteve qëndron pushteti. Nismat qytetare kanë dënuar veprimet e policisë në Novi Sad dhe kanë kërkuar hetime.
Arkivi i tubimeve publike ka njoftuar se në protestën e Novi Sadit kanë marrë pjesë rreth 22.000 qytetarë, protestë kjo që konsiderohet si më masovike që është mbajtur në këtë qytet.
Protestuesit kërkojnë dorëheqjen e Kryeministrit të Serbisë dhe Kryebashkiakut të Novi Sadit, të arrestohen dhe të dënohen përgjegjësit e tragjedisë si dhe të publikohet marrëveshja sekrete me konzorciumin kinez I cili kishte bërë rikonstruimin e stacionit hekurudhor.