Tragjedi në Has të Shqipërisë, banesa përfshihet nga zjarri – vdesin nënë e bir

Një ngjarje e rëndë me dy të vdekur është regjistruar në fshatin Nikoliq të Hasit të Shqipërisë në orët e para të mëngjesit të sotëm.

Sipas policisë, një banesë u përfshi nga flakët duke bërë që të humbasin jetën nënë e bir. Viktimat janë R.L. dhe nëna e tij F.L.

Bëhet e ditur se djali, pasi arriti të nxjerrë nga banesa bashkëshorten e tij, u kthye për të shpëtuar nënën që kishte mbetur e bllokuar mes flakëve.

Por fatkeqësisht, për shkak të flakëve të zjarrit, mbeti i bllokuar dhe humbi jetën bashkë me nënën, shkruan TvKlan, transmeton Klankosova.tv.

Trupat e tyre të pajetë u konstatuan nga forcat zjarrfikëse pasi ndërhynë për të shuar flakët.

Zjarri në banesë paraprakisht dyshohet se ka rënë aksidentalisht.

Njoftimi i Policisë së Kukësit:

Rreth orës 02:00, në fshatin Nikoliq, dyshohet se aksidentalisht ka rënë zjarr në banesën e shtetasit R. L.
Si pasojë e zjarrit, kanë humbur jetën shtetasi R. L. dhe nëna e tij, shtetasja F. L., ndërsa bashkëshortja e shtetasit R. L., shtetasja A. L., ka mundur të dalë nga banesa.

Grupi hetimor, në drejtimin e prokurorit, po punon për përcaktimin e shkakut të rënies së zjarrit.

Lexo gjithashtu
Total
0
Share