Tragjedi në Haiti/ 40 të vdekur pas zjarrit në anijen e emigrantëve

Të paktën 40 persona kanë humbur jetën dhe 41 të tjerë janë shpëtuar pasi një anije me mbi 80 emigrantë u përfshi nga zjarri në brigjet e Haitit në fillim të kësaj jave, njoftoi Organizata Ndërkombëtare për Migracionin (IOM). Anija ishte nisur nga Haiti të mërkurën dhe kishte destinacion Turks dhe Caicos.

Grégoire Goodstein, shefi i misionit të IOM-it në Haiti, fajësoi për tragjedinë krizën e sigurisë në vend dhe mungesën e rrugëve të sigurta dhe ligjore për migrimin.

“Situata socio-ekonomike e Haitit është në agoni. Dhuna ekstreme gjatë muajve të fundit vetëm sa ka bërë që Haitianët të përdorin masa të dëshpëruara edhe më shumë,” tha ai.

Haiti po përballet me dhunën e bandave, një sistem shëndetësor në kolaps dhe mungesën e aksesit në furnizimet thelbësore, duke bërë që shumë haitianë të nisin udhëtime të rrezikshme jashtë vendit. Kriza në vend u përshkallëzua në fillim të këtij viti kur shpërtheu lufta e bandave, duke detyruar dorëheqjen e qeverisë së atëhershme. Sipas të dhënave të IOM-it, numri i përpjekjeve për migrim me anije nga Haiti është rritur që atëherë, megjithatë, qeveritë fqinje vazhdojnë të riatdhesojnë emigrantët haitianë me dhjetëra mijëra.

Lexo gjithashtu
Total
0
Share