“Topa zjarri binin si shi”, të paktën 30 viktima nga shpërthimi në Bangladesh

Një zjarr dhe një shpërthim i madh kanë vrarë të paktën 30 persona dhe plagosën qindra të tjerë në një depo magazinimi pranë qytetit të Chittagong, Bangladesh.

Qindra njerëz kishin mbërritur për të shuar zjarrin kur një numër kontejnerësh shpërthyen. Nuk dihet shkaku i zjarrit, por mendohet se në disa prej kontejnerëve kishte lëndë kimike.

Spitalet e zonës janë të mbingarkuara dhe kanë apeluar për dhurim gjaku. Shumë prej të plagosurve raportohet se janë në gjendje kritike me djegie që mbulojnë 60% deri në 90% të trupit të tyre.

“Shpërthimi më hodhi rreth 10 metra larg vendit ku po qëndroja. Duart dhe këmbët e mia janë djegur,” tha një shofer kamioni për agjencinë e lajmeve AFP.

Një tjetër vullnetar i tha agjencisë se kishte parë më shumë kufoma brenda zonës së prekur nga zjarri. Mes të plagosurve janë edhe disa zjarrfikës.

Sipas një zyrtari të qeverisë rajonale, depoja përmbante miliona dollarë veshje që prisnin të eksportoheshin për shitësit perëndimorë. Bangladeshi është një furnizues kryesor i veshjeve në Perëndim.

Shpërthimi ishte aq i fortë sa u dëgjua disa kilometra larg dhe theu xhamat e ndërtesave aty pranë. Një shitës lokal u tha gazetarëve se disa copa mbeturinash kishin fluturuar gjysmë kilometri dhe kishin rënë në oborrin e tij. Ai përshkroi se kishte parë “topa zjarri që binin si shi” pas shpërthimit.

Zjarri ishte ende i ndezur të dielën në mëngjes, disa orë pas shpërthimit. Ushtria është vendosur për të parandaluar derdhjen e kimikateve në det.

Zjarret janë të zakonshme në Bangladesh. Vitin e kaluar, të paktën 39 njerëz u vranë pasi një traget mori flakë në jug të vendit. Dhe më herët po atë vit, të paktën 52 njerëz vdiqën në një zjarr në fabrikë në Rupganj pranë kryeqytetit, Dhaka.

Tre punëtorë u vranë gjithashtu në vitin 2020 pasi një rezervuar nafte shpërtheu në një depo tjetër depozitimi kontejnerësh në Patenga, jo shumë larg Chittagong./tvklan.al

Lexo gjithashtu
Total
0
Share