Me duartrokitje të gjata u mbyll fjalimi i ish-kryeministrit britanik Tony Blair në Kuvendin e Kosovës. Duke kujtuar periudhën e luftës, Blair theksoi se nuk është “penduar kurrë për ndihmën që dha atëherë”.
“S’jam penduar kurrë që dhashë ndihmën time”
“Jam shumë i lumtur që jam këtu, është një nder i vërtetë. S’mund t’ju falenderoj mjaftueshëm për mirëpritjen tuaj. 25 vite më parë u arrit dakordësia për të larguar forcat nga Kosova. Këta njerëz ishin të gatshëm të jetonin sërish, të lirë nga presioni dhe padrejtësitë. Sot përkujtojmë ata që vdiqën, që dhanë jetën për lirinë. Mbajmë mend sakrificën e tyre, derdhën gjakun e tyre për çlirimin e Kosovës. Në sfondin e një ngjarjeje kaq të madhe, me negociata të shumta politike dhe me një ankth të madh si do të jetë vendimmarrja, duke parë skenat e përgjakshme të zhvendosjes, dëgjuam thirrjen e tyre. Një thirrje e dhimbshme për ndihmë dhe unë asnjëherë s’jam penduar që e kam dhënë këtë ndihmë. Unë nderoj sot të gjithë ata që punuan me mua, në mënyrë të veçantë ish-Presidentin Rugova, gjeneralët e tjerë, zotin Robinson dhe gjithashtu Bill Clinton.
Jo vetëm britanikët dhe amerikanët, por të gjithë ata që u bashkuan në krahun tonë për Kosovën. Por mbi të gjitha me vendosmërinë e Kosovës për guximin për një të ardhme më të mirë. Edhe sot ne punojmë pr një Kosovë që shikon drejt BE, për një Kosovë të lirë. Populli i Kosovës ka prosperitet dhe ata duan të jenë në Kosovë sepse e dijnë se këtu është shtëpia e tyre. Lufta e madhe që u bë simbolizon dhe diçka më të madhe, tregon vullnetin e atyre vendeve të mëdha që qëndruan krah për krah Kosovës.”
Mesazhi i Blair: S’mund të rrijmë duarkryq kur popujt shtypen
Ai deklaroi se mosveprimi në situata të vështira sjell pasoja negative për popujt.
“Ajo përpjekje e atëherëshme është e vlefshme edhe sot. Veprimi për të ndërhyrë në raste të tilla është gjithmonë i vështirë. Vendimet që merren sjellin dhe pasoja. Mosveprimi është një mënyrë reagimi po ashtu. Por mosveprimi na çon në një rrugë padrejtësie, sepse ashtu lejojmë që popujt të shtypen. Masat parandaluese janë në duart tona, ne vendosëm një precedent me ndërhyrjen tonë. Ne s’mund të rrijmë duarkryq duke parë se si hiqen të drejtat e një shteti të lirë.”
Blair vuri theksin edhe te sfidat e sotme të Kosovës, duke shpresuar se shpejt do tejkalohen.
“Duhet të luftojmë për të rinjtë sot. Janë një skuadër e talentuar që ndryshojnë shumë shpejt, në një hap me teknologjinë.”
Sipas ish-kryeministrit britanik, Kosova duhet të njihet nga e gjithë bota.
“Bashkojmë duart që Kosova të njihet nga e gjithë bota”
“Imagjinoni artin dhe kulturën e Kosovës që u bashkohet vendeve të tjera. Kjo është një gjë plotësisht e arritshme, prandaj ne bashkojmë duart. Jo vetëm për të qenë të lirë, por sepse liria hap mendjen njerëzore. Sot mund të ndërtojmë një ëndërr të re, ua kemi borxh atyre që i kujtojmë sot. Këtë duan ata! Kjo do ishte dhurata më e madhe për ata që dhanë jetën e tyre.”
Blair ka luajtur rol udhëheqës gjatë fushatës së bombardimeve të NATO-s në vitin 1999 që ndaloi përparimet e forcave okupatore serbe dhe ndihmoi Kosovën të fitonte pavarësinë.
E.D/tvklan.al