Ish-drejtori i Ansamblit Shqiptar të Këngëve dhe Valleve në RMV, Shkodran Tolaj, përmes një letre publike të publikuar në rrjetin social Facebook ka pyetur Ministrinë e Kulturës së përse edhe pas 3 javëve prej shkarkimit të tij nga posti i drejtorit, statusi i pjesëtarëve të Ansamblit mbetet i pazgjidhur, pasi të njejtët ende nuk janë sistemuar me vendime në vendet e tyre të punës.
Tolaj shkruan se po manipulohet me artistët, pasi deklaratat e ministrit dhe zëvendësministrit të Kulturës nuk janë në përputhje më njëra tjetrën, madje dhe kryeministri Hristijan Mickoski e ka tërhequr ligjin për këta artistë pa dhënë asnjë spjegim.
“Po e shkruaj këtë letër të hapur për ministrin e zëvendësministrin e kulturës si shqetësim i thellë që vjen nga unë si artist por dhe si ish drejtor i atij institucioni ku realizuam shumë ëndërra, prekëm shumë suksese të paimagjinueshme dhe u ndjemë krenarë anë e kënd globit!
Sot jam këtu për ti qëndruar në ballë një padrejtësie që po u bëhet artistëve që nuk e kanë mundësinë të dalin dhe të kërkojnë fajtorin e as ta akuzojnë pushtetin aktual nga i cili pritet hapja e konkursit dhe punësimi i tyre! Jam këtu për të bërë disa pyetje esenciale pa dashur ta kujtoj odisejadën e rezistencës time tre mujore kundrejt një maqinerie të tërë të pushtetit i cili nuk kurseu asnjë formë për shantazh, kërcënim dhe puç brenda institucionit! Përkundër faktit që me datë 28 qershor e 5 korrik u anuluan të gjitha konkurset në nivel të shtetit, zhurma e paguar e disa mediave nga “protagonistë të ditur tashmë” arriti që tek një pjesë e opinionit të shkaktojë dilema afatshkurtëra lidhur me fajtorin që la në rrugë 33 artistët e ansamblit, por sot, gjërat janë shumë të qarta! Për opinionin publik po kujtoj se nga data 11 shtator kur është bërë shkarkimi im në formën më arbitrare deri më sot kanë kaluar plot 3 javë andaj kur “pengesë” nuk është më “drejtori i padëshiruar” ku qëndron problemi; çfarë po ndodhë me ansamblin shqiptar, ku është pëlqimi për konkurs, kë do fajësojnë tutje përfaqësuesit tanë në qeveri për këtë të keqe të madhe që po i bëhet kulturës kombëtare? Si është e mundur që një ministri të kulturës mos i interesojë fare problemi me punësimet dhe kërkesa ime për marrje të masave të hasë në vesh të shurdhër nga data 1korrik 2024, deri me 26 gusht kur paturpësisht deklaroi në të gjitha mediat e vendit se pëlqimi për punësime nga Ministria e financave është siguruar, pritet vetëm inspektimi në ansambël dhe shkarkimi i drejtorit! Për të qenë dhe më e thellë kjo gënjeshtër publike e ministrit Zoran Ljutkov, me 12 shtator sërish deklaroi se me shkarkimin e drejtorit, ushtruesi i detyrës menjëherë do të realizojë konkursin për ti kthyer artistët në punë! Sot jemi me datë 1 tetor, pra plot tre muaj institucioni është në gjendjen “vend- numëro” pa zgjidhje konkrete dhe asnjë hap përpara! Sot dua ti shtroj disa pyetje edhe zëvendësministrin Sedat Sulejmani i cili në vend se të pranonte bashkëpunimin me datë 25 korrik dhe të angazhoheshim bashkërisht për zgjidhje të problemit me punësime ai zgjodhi të shantazhojë: “jep dorëheqje se do kesh probleme të mëdha nga individë e media- konkursin do e zhvillojë njeriu i yni me lista partiake; ti trego a don ndonjë shërbim dhe jep dorëheqje menjëherë” Sot dua ta pyes zëvendësministrin se çfarë i duheshin deklaratat e pamenduara me 3 gusht në Alsat M kur premtonte se do ketë vendime të përhershme pune dhe 6 gusht në TV 21 kur thoshte që do ketë konkurs dhe audicion për kontrata të reja pesëvjeçare për artistët e ansamblit! Sikur mos të mjaftohej me këto deklarata kontradiktore, me 12 gusht, me plot krekosje manipuloi me ligjin e ri për kulturë që e mori të gatshëm nga qeveria e kaluar LSDM- BDI dhe tha bindshëm se do të miratohet shpejtë me çka artistët do të kenë vendime të përhershme pune! Dhe pas gjitha këtyre akrobacioneve, caktohen dy seanca në Parlament, me 13 gusht dhe 16 shtator dhe këtë ligj e tërheq përfundimisht kryeministri Kristian Mickovski me 18 shtator, duke mos dhënë askush asnjë arsye!”, shkruan Tolaj.
Tolaj shton se me këto veprime mund të ketë një skenar që ky institucion kulturor i shqiptarëve të shkatërrohet.
“Nëse skenari dhe kjo lojë ka për qëllim shkatërrimin apo shkrirjen graduale të ansamblit shqiptar, duke vepruar në formën më nënçmuese si me gjuhën, flamurin e shumë çështje të rëndësishme kombëtare, kjo nuk do kalon sepse shkarkimet e ngarkimet e drejtorëve dhe interesat e politikës tuaj ditore janë zero përballë kësaj të keqeje të cilën nuk e tolerojnë shqiptarët dhe komuniteti artistik mbarëkombëtar që ka investuar për tu krijuar e ngritur ky ansambël i krenarisë së shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut!
Tani është koha vërtetë për veprim: ktheni artistët në punë që të jehojë kënga e vallja shqipe sikur pesë vite kur nuk ishte kjo qeveri antishqiptare! Nëse përfaqësuesit shqiptar në qeveri nuk janë në gjendje ta rregullojnë edhe këtë çështje, atëherë vërtetohet kartëcipërisht se s’kanë takat për asnjë punë të mirë andaj kanë zgjedhur heshtjen para çdo dështimi, fyerje e nënçmimi që po u bëhet shqiptarëve!”, përfundon reagimin e tij Tolaj. /tvklan.mk