‘Tkurret’ lumi Danub për shkak të thatësirës

Edhe shteti fqinj, Italia po ‘goditet‘ nga thatësira

Temperaturat e larta dhe mungesa e reshjeve të shiut kanë bërë që lumenjtë të tkurren në të gjithë Europën. E përjashtim nga kjo nuk bën as lumi Danub në qytetin verior të Serbisë, Novi Sad.

“Nivelet e ujit janë të ulëta. Situata është e tmerrshme. Edhe pse nuk ka ardhur ende më e keqja, trendi tregon se gjërat vetëm do të përkeqësohen. Meqenëse është gjithashtu një periudhë e thatë dhe uji në rezervuarë është i nevojshm për vaditje, situata është shumë më e keqe atje. Kur duhet të zgjedhësh mes rezervave të peshkut dhe të mbjellave, sigurisht që do të zgjedhësh gjithmonë të mbjellat”.

Danubi, një nga lumenjtë më të gjatë në Europë, është një arterie tregtare dhe transporti që kalon nëpër dhjetë vende. Nivelet e ulëta të ujit po kërcënojnë gjithashtu rezervat e peshkut në lumë, sipas Marija Trivunçeviç, një zëdhënëse e një shoqate lokale të peshkimit.

“Ajo që është kritike tani është ndryshimi i temperaturës. Pra, jo vetëm që temperaturat janë vazhdimisht të larta, por edhe nëse bie shi papritmas, atëherë uji trazohet, oksigjeni zhduket dhe peshqit ngordhin”.

Edhe në Itali situata nuk paraqitet më e mirë. Liqeni Garda, liqeni më i madh në vend dhe destinacioni kryesor turistik, si dhe shumë liqene dhe lumenj në veri të Italisë, po vuajnë nga thatësira e madhe që ka kapluar vendin prej muajsh. Italia shpalli gjendjen e jashtëzakonshme muajin e kaluar për zonat përreth Po, që është lumi më i gjatë i vendit.

Ndërsa gjetkë, në Kinë fabrikat janë mbyllur pasi rezervuarët e përdorur për të prodhuar energji nga hidrocentralet kanë rënë në nivele të ulëta për shkak të thatësirës.

Klan News

Lexo gjithashtu
Total
0
Share