Tirana “vishet” kuqezi për ndeshjen Shqipëri – Poloni

Tifozë nga të gjitha trevat shqipfolëse janë mbledhur në Tiranë për të mbështetur Kombëtaren Shqiptare të futbollit që sonte luan përballë Polonisë dhe do të kërkojë të marrë 3 pikë.

Ndeshja do të luhet në stadiumin “Air Albania” në orën 20:45, ndërsa do të keni mundësi ta ndiqni edhe në ekranin e Tv Klan, me një transmetim që do të nisë prej orës 20:00.

Masat e policisë janë të shtuara për të garantuar rendin dhe sigurinë. Në bulevard dhe në të gjitha rrugët lidhëse me stadiumin ka prani të madhe të tifozëve kuqezi, të cilët shoqërohen dhe monitorohen nga policia.

Megjithatë, nuk ka patur asnjë problematikë. Situata është e qetë përsa i përket rendit, ndërsa tifozët shqiptarë festojnë me thirrje në mbështetje të Kombëtares dhe me këngë patriotike.

Për të hyrë në stadiumin “Air Albania”, policia ka krijuar dy vija kontrolli në të gjitha pikat e hyrjes.


FORMACIONI I MUNDSHËM I SHQIPËRISË NDAJ POLONISË

Sylvinho pritet të luajë me të njëjtin formacion, si me Çekinë ose të ketë ndonjë ndryshim të vogël ndaj Polonisë sot në mbrëmje. Duket se titullarët kanë bindur me lojën e tyre dhe gëzojnë besimin e trajnerit të Kombëtares.

Berisha mendohet të jetë sërish në portë. Në mbrojtje priten Hysaj, Ismajli, Gjimshiti dhe Mitaj, por në vend të këtij të fundit mund të jetë edhe Balliu.

Në mesfushë parashikohet një grup lojtarësh nga ekipet e Serie A, Ramadani, Asllani dhe Bajrami. Sulmi mendohet të ketë Cikalleshin në majë i ndihmuar nga krahët nga Asani dhe Seferi, por mund të shikojmë edhe Uzunin nga minuta e parë.

Sylvinho ka mbajtur të njëjtë titullarët në takimet me Ishujt Faroe dhe Çekinë, por vetë trajneri ka thënë gjithmonë se në fushë do të jenë ata që gëzojnë formën më të mirë.

TIFOZI I VEÇANTË

 

Mes mbështetësve të Kombëtares është edhe ky tifoz i veçantë, i cili ka ardhur nga Struga.

Në një prononcim të shkurtër për Klan News, ai thotë se Kombëtarja Shqiptare i bën që të harrojnë problemet për disa minuta.

Ndërsa për të pikturuar flamurin kuqezi në fytyrë, ai shprehet se iu deshën 3 orë.

Nga ke ardhur sot?

-Unë jam shqiptar i Strugës. Dhe jam atje ku është Kombëtarja. Aty ku gëzon ai shqiptari i Nishit, shqiptari i Tetovës, shqiptari i Tironës, po njëjtë si ai shqiptari nga Ulqini.

Si ndiheni sot në këtë atmosferë të zjarrtë pasi po shohim që tifozët kuqezi i kanë “vënë zjarrin” Tiranës në një lloj mënyre.

-Këtu plotësohem, këtu jam vetëvetja. S’di çtë them, është një kënaqësi kur sheh. Ne si komb kemi shumë halle, e dimë këtë punë, e di ti, e di unë, e di dhe ai që sheh aty, por Kombëtarja, tifozët madhështorë na lënë për disa minuta t’i harrojmë ato hallet që i kemi. Edhe unë e di, edhe unë kam hallet e mia, por kjo është ajo dashnia, është çdo gjë.

Sa orë të dashur për të pikturuar këtë simbol shumë të rëndësishëm për të gjithë shqiptarët?

-Unë këtë e bëj që nga 2013, në fillim diku 5 orë e gjysmë, kurse tani jam bërë profesionist, diku rreth 3 orë. Por jo aq shpejt sa Kombëtarja që do japë sonte gol. Mendoj që në minutën 22’ do shënojë prapë ky mbrapa (Bajrami).

Cili është mesazhi juaj për të gjithë ata që sot do ndjekin Kombëtaren qoftë në stadium por edhe nga ekrani i televizionit?

-Sa më shumë dashuri për shqiptarët, e vetmja kjo.

/tvklan.al

Lexo gjithashtu
Total
0
Share