Tirana mirëpret sot Samitin BE-Ballkani Perëndimor, në fokus plani i rritjes ekonomike

Tirana do të mirëpresë sot Samitin Rajonal mbi Planin e Rritjes dhe Konvergjencës me fokus integrimin e Ballkanit Perëndimor drejt Bashkimit Europian, si dhe zbatimin e Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor.

Ky samit do të ofrojë gjithashtu mundësi të reja për një shkëmbim pikëpamjesh mbi të ardhmen evropiane të rajonit dhe mbi sfidat e përbashkëta rajonale. Në samit do të jetë i pranishëm Komisioneri i Bashkimit Evropian për Zgjerimin dhe Fqinjësinë, Oliver Varhelyi.

Plani i BE-së për Ballkanin Perëndimor synon rritjen ekonomike të rajonit, përshpejtimin e reformave të duhura, dhe kryerjen e investimeve, që mund të avancojnë procesin e zgjerimit të BE-së me këto vende.

Plani i Zgjerimit të Ballkanit Perëndimor bazohet në 4 shtylla kryesore:

-Rritja e integrimit ekonomik me Tregun Unik të Bashkimit Evropian.

-Rritja e integrimit ekonomik brenda Ballkanit Perëndimor përmes Tregut të Përbashkët Rajonal.

-Përshpejtimi i reformave themelore

-Rritja e ndihmës financiare

BE-ja do të hapë zona të caktuara të tregut të përbashkët të BE-së për partnerët e Ballkanit Perëndimor përpara anëtarësimit, duke sjellë përfitime të prekshme për qytetarët e tij.

Ky samit pritet të nisë rreth orës 09:45, ku do të mbajnë fjalimet hapëse kryeministri Edi Rama dhe komisioneri Varhelyi. Rreth një orë më vonë pritet të mbyllen punimet ku do të kryhet fotoja familjare. Në orën 12:00 është parashikuar firmosja e marrëveshjes, ndërsa në orën 12:30 do të ketë një konferencë për shtyp.

FOTO: AXHENDA E SAMITIT RAJONAL

Ndërkohë që prej mbrëmjes së të martës, Policia e Shtetit ka kaluar në gatishmëri me qëllim garantimin e rendit dhe sigurisë në Samitin Ukrainë – Europa Juglindore që u mbajt dje dhe atë të Ballkanit Perëndimor që do të zhvillohet sot në kryqytet.

Në terren do të jenë të angazhuar mbi 1500 efektivë policie, ndërsa pjesë e planit të masave është dhe bllokimi i qarkullimit rrugor me fasha orare në disa akse të kryeqytetit. Ndërkohë sa i takon rrugëve brenda perimetrit të sigurisë, bllokimi do jetë total.

MASAT E POLICISË PËR SAMITIN DHE RRUGËT E BLLOKUARA:

Më datë 29.02.2024, nga ora 12:00 deri në orën 14:00 do të ketë ndalim qarkullimi, në Rrugën e Elbasanit, Unaza e madhe perëndimore – ish-sheshi “Shqiponja” – Qafë Kashar – Rinas-aeroporti “Nënë Tereza”;

Rrugët që përfshihen në perimetrin e sigurisë së aktiviteteve dhe takimeve të pjesëmarrësve në Samit, do të kenë ndalim qarkullimi nga ora 08:00 e datës 28.02.2024 deri në orën 16:00 të datës 29.02.2024, konkretisht:

Rruga “Dervish Hima” nga Rruga e Elbasanit deri tek Coin;

Rruga “Papa Gjon Pali II”, nga RTSH deri tek Coin;

Rruga “Abdyl Frashëri”, nga kryqëzimi i Librit Universitar deri tek Presidenca;

Rruga “Ukraina e lirë”, nga Gjykata Kushtetuese deri tek Vila 30;

Rruga “Themistokli Gërmenji”, nga Rruga e Elbasanit deri tek rruga “Papa Gjon Pali II”;

Rruga “Faik Konica”, nga degëzimi i Ambasador 3 deri tek rruga “Dervish Hima”;

Rruga “ Gjergj Filipi”, sheshi “Italia”, nga rruga “Faik Konica” deri tek hotel “Mariot”;

Blevardi “Dëshmorët e Kombit”, nga ura e ish-hotel Dajtit deri tek sheshi “Nënë Tereza”;

Për qytetarët që duan të shkojnë në aeroportin “Nënë Tereza”, më datë 29.02.2024, gjatë fashës orare të bllokimit të rrugëve, do të ndjekin përkatësisht drejtimin:

Vorë – Fushë Prezë – Rinas dhe kthim;

Fushë Krujë – Valias – Rinas dhe kthim;

Nga Juglindja dhe Tirana, do të ndjekin Unazën lindore – Farmacia 10 – Stacioni i Trenit – Bulevardi i Ri – Paskuqan – Kamëz – Valias – aeroporti “Nënë Tereza” dhe kthim në të njëjtin itenerar.

/tvklan.al

Lexo gjithashtu
Total
0
Share