70% e portugezëve nuk e duan titullar ndaj Zvicrës
Kohë të vështira për Cristiano Ronaldon. Edhe tifozët portugez i kanë kthyer shpinën tashmë 37-vjeçarit dhe shpresojnë që të mos jetë titullar në duelin e raundit të 1/8-ave kundër Zvicrës.
Nga një sondazh i gazetës portugeze “A Bola”, 70% e atyre që kanë marrë pjesë kërkojnë që Ronaldo ta shikojë nga stoli pjesën më të madhe të sfidës me ‘Helvetët’.
Trajnerit portugez, Fernando Santos nuk i mungojnë alternativat në sulm, me gjasat që nëse Ronaldo qëndron në pankinë, vendin e tij mund ta marrë njëri mes Leaos, Andre Silva dhe Gonçalo Ramos.
Megjithatë, teknikut i duhet të marrë një verdikt mjaft të vështirë, pasi do të linte në stol futbollistin më të mirë portugez të të gjithë kohërave. Ato që shkojnë kundër situatës që po kalon Ronaldo në Katar janë edhe statistikat.
Portugezi ka shënuar një gol nga penalltia dhe nuk ka dhënë asnjë asist për shokët e skuadrës, duke mos e ndihmuar siç duhet ekipin. Megjithatë, Ronaldo tashmë është një legjendë e kombëtares portugeze, pasi u bë lojtari i parë që shënon në 5 edicione të ndryshme.
Klan News