Ballkani do të zhvillojë këtë muaj ndeshjen e dytë në fazën e grupeve të Ligës së Konferencës, ndaj Dinamo Zagrebit.
Kjo ndeshje do të zhvillohet më 5 tetor, në stadiumin “Fadil Vokrri”.
Në njoftimin e fundit nga klubi therandas është bërë e ditur se me vendim të UEFA-s, tifozët e skuadrës kroate nuk do të lejohen të jenë prezent në stadium.
Kampionët e Kosovës njoftuan se të gjitha biletat janë të personalizuara, andaj kërkuan nga tifozët kroat që të mos provojnë të futen në stadium, pasi që nuk do t’ia dalin.
Njoftimi i plotë nga klubi i Ballkanit:
“Të nderuar futbolldashës,
Ju njoftojmë se biletat e ndeshjes së Konferencës së Evropës, ndërmjet Ballkanit dhe Dinamo Zagrebit janë të personalizuara. Në çdo hyrje të stadiumit, do të ketë kontrolle të rregullta ku verifikohet bileta.
Poashtu me vendim të UEFA-s, për këtë ballafaqim, prania e tifozerisë mysafire është e ndaluar.
Në stadiumin “Fadil Vokrri”, funksionon sistemi digjital, andaj do të bëhet kontrolli i poseduesve të biletave.
Meqenese prania e tifozëve të Dinamo Zagrebit është e ndaluar, me seriozitet rekomandojmë që të mos marrin rrugën për Prishtinë, pasi që pas identifikimit në hyrjet e stadiumit, do t’u mohet hyrja, kurse mjetet e biletës nuk do t’iu rimbrusohen.
Duke shpresuar në mirëkuptimin e të gjithëve, urojmë që çdo gjë të jetë korrekte dhe ndeshja e dytë e grupit C të UECL-së, ndërmjet Ballkanit dhe Dinamo Zagrebit të kalojë në rrethana festive futbollistike, mes kampionëve të dy shteteve mike.