Dje në Shkup u promovua themelimi i Institutit për Demokraci dhe Analiza Ekonomike – IDEA. Drejtues i këtij instituti do të jetë Omer Ajdini, ish kryetar i Forumit Rinor në ASH, i cili u dorëhoq para disa muajsh nga pozita në këtë parti.
“Instituti për Demokraci dhe Analiza Ekonomike – IDEA është themeluar në mars të vitit 2023 me përkrahje të Fondit Evropian për Demokraci (European Endowment for Democracy) dhe synon të kontribuojë në avancimin e nivelit të demokracisë dhe politikave ekonomike në Maqedoninë e Veriut, përmes hulumtimeve, avokimit dhe monitorimit të punës së institucioneve publike”, thuhet në njoftim
Ngjarja promovuese u karakterizua me një panel diskutimi me temë “Statusi i demokracisë dhe shoqëria civile në Ballkan”, në të cilin morën pjesë ish-kryetari i Komunës së Prishtinës Shpend Ahmeti, aktivistja nga Tetova Elmedina Abdullai, dhe drejtori ekzekutiv i IDEA Omer Ajdini.
Në fjalimin e drejtuar mysafirëve, drejtori ekzekutiv Omer Ajdini potencoi se qëllimi i IDEA është të ndihmojë sadopak avancimin e demokracisë dhe politikave ekonomike në vend, në kohën kur shoqëria civile përballet me mungesë qëndrueshmërie.
Duke folur për demokracinë në Maqedoninë e Veriut, Elmedina Abdullai potencoi se avancimi i demokracisë në vend dhe rajon është çështje sa kolektive ashtu edhe e ndërgjegjësimit personal, dhe se të gjithë ne duhet të bëjmë atë që na përket për të avancuar statusin e shoqërisë në të cilën jetojmë.
Shpend Ahmeti në fjalimin e tij drejtuar mysafirëve, potencoi që roli i shoqërisë civile ka qenë dhe mbetet krucial në demokraci, dhe se roli i IDEA do të duhej të ishte që të avanconte nivelin e debatit në shoqëri dhe të ndihmonte politikëbërjen në vend.
Në ngjaren promovuese morën pjesë edhe kryetar komunash, profesor univsitarë, aktivistë të shoqërisë civile dhe studentë nga universitete të ndryshme./KlanMacedonia