KANË DHËNË DORËHEQJE DREJTORËT E NP “PARKINGU I QYTETIT” DHE “DRISLLA”
Edhe dy drejtorë të ndërmarrjeve publike në Shkup, kuadro të VMRO-DPMNE-së, kanë dhënë dorëheqje, dukë vënë në dukje se është vështirë të bashkëpunohet me “kryetare jotransparente e cila nuk i plotëson premtimet ndaj qytetarëve”. Bojan Hristovski dhe Jane Micevski largohen nga pozitat drejtuese të “Parkingut të Qytetit” dhe “Drislla”, pasi dje kryetarja Danella Arsovska shkarkoi dy bashkëpartiakë të tyre nga funksioni për shkak të dyshimeve për manipulime në punë. A është hendeku në mes Arsovskës dhe VMRO-DPMNE-së i natyrës financiare ose politike për momentin mbetet e paqartë.
Dyshime për manipulime të tenderit ose ambicie politike – partiake, opinioni ende nuk ka pasqyrë të qartë për rrënjët e përplasjeve në mes kryetares së Shkupit Danella Arsovska dhe VMRO-DPMNE-së. Për momentin është e qartë se vetëm partia që e solli në pushtet, pas një viti, nuk është e kënaqur me punën e Kryetares së Shkupit.
“Nuk jemi të kënaqur nga ajo që deri më tani ka punuar Kryetarja, është realizuar shumë pak, ndërsa mundet dhe duhet të jepen shumë më tepër rezultate që i meritojnë shkupjanët. Mbështetja që e kemi dhënë në fillim për Arsovskën bazohet në parime, do ta tërheqim atëherë kur ta shohim se parimet nuk respektohen.” – deklaroi Maria Miteva.
Pasi Arsovska e shkarkoi drejtorin e NP “Ujësjellës dhe Kanalizime” dhe sekretarin e përgjithshëm të qytetit të Shkupit, për pretendime për manipulime në lidhje me tenderin në vlerë mbi 130 milionë euro, sot nga pozitat e tyre u tërhoqën edhe dy drejtorë, kuadro të VMRO-DPMNE-së. Njëri prej tyre, Drejtori i “Parkingut të Qytetit”, Bojan Hristovski, e akuzon Arsovskën për mosplotësimin e premtimeve ndaj qytetarëve dhe për mosbashkëpunim.
“Gjithë kjo tregon se shumë pak ose aspak nuk i kushtohet vëmendje asaj që u premtua para qytetarëve për Shkup modern dhe unë si individ krahas rezultateve të shumta për një periudhë të shkurtër nuk dëshiroj të jem pjesë e sistemit ku qëllimet dhe projektet tona nuk janë prioritet.” – tha Bojan Hristoski.
Jane Micevski, njeriu i parë i deponisë “Drislla” vazhdon me të njëjtin ton, “Arsovska nuk është e qasshme dhe nuk ka koordinim”.
“Detyra parësore e kryetarit të komunës nuk duhet të jetë përballja personale dhe ndjekja e individëve, siç e pamë dje, por përkushtimi ndaj prioriteteve dhe projekteve që janë detyra bazë.” – tha Jane Miceski.
Pasi gjatë ditës së djeshme në konferencën për shtyp të drejtorit të NP “Ujësjellësi dhe Kanalizimet”, të cilin paraprakisht e shkarkoi, sot Arsovska komunikimin e zhvillon përmes Facebook-ut.
“Për shkak të punës jo të përshtatshme, mosdhënien e rezultateve dhe mosrespektimin e udhëzimeve të qytetit të Shkupit, drejtorët morën ofertën të japin dorëheqje ose të shkarkohen. Të gjithë bartësit e pozitave drejtuese janë të obliguar të japin llogari para qytetarëve dhe jo para liderëve partiakë.” – deklaroi Danella Arsovska.
Derisa funksionarët e qytetit debatojnë, shkupjanët janë vënë para pasigurisë nëse qyteti do të ketë stacion të pastrimit për ujërat e zeza, me çka lidhet tenderi kontestues, por edhe lehtësime në transportin publik, rrugë dhe parqe moderne, të cilat i ka premtuar Arsovska. /KlanMacedonia/