The Sun: Bandat shqiptare dhe turke, në aleancë! Tallen me sistemin tonë të drejtësisë

“Dy persona me maska që qëndrojnë të ulur para një supermakine që kushton 160 mijë Paund, duke pozuar për një video rap që do të postohet në TikTok. Ata paralajmërojnë që ‘të mos kruhet njeri’ me turqit ose shqiptarët përpara se të largohen me Audin e tyre të kuq Audi R8 Spyder”.

Kështu e nis shkrimin e saj The Sun duke treguar se mes shqiptarëve dhe turqve në Britaninë e Madhe ka nisur një aleancë.

Në një klip tjetër në platformat e mediave sociale, një bandë me maska shfaqen duke kërcyer dhe kënduar para disa pakove me kokainë, vlera e së cilës shkon 80 mijë Paund një kilogram.

“Në shenjë vetëbesimi personat e maskuar këndojnë për disa kriminelë lokalë, duke treguar pa turp edhe ku kanë filmuar videon, në Haringey, Londrën Veriore”, shkruan The Sun.

Më tej britanikja shton se kjo është një “arrogancë e frikshme” që buron pikërisht nga kjo aleancë në zhvillim që ka lindur mes bandave shqiptare dhe turke.

Sipas The Sun, anëtarët e bandës Hellbanianz në Londrën Perëndimore janë të njohur për shfaqjen e pasurisë dhe armëve në mediat sociale. Por duket se grupet turke po ndjekin shembullin e tyre.

The Sun shkruan se këto shfaqje janë simbolikë e faktit se sa të sigurt janë bërë bandat e huaja se nuk do të deportohen teksa shikojnë Britaninë duke luftuar problemin e saj me emigrantët.

Kreu i organizatës ‘Migration Watch UK’, Alp Mehmet tha se këto pamjet tregojnë se si bandat e huaja e shikojnë sistemin e drejtësisë së Britanisë si të dobët.

“Kjo tregon gjendjen e mjerueshme të kontrollit kufitar dhe zbatimit të emigracionit në Mbretërinë e Bashkuar”, tha ai.

Më tej, The Sun shkruan se kriminelët me origjinë shqiptare nuk po shkaktojnë vetëm problemet me drogë në Britani, por fshihen edhe pas operacioneve të trafikut të emigrantëve klandestinë në Francë.

Teksa ndalet për të folur sërish për problemin e emigrantëve, The Sun nënvizon se numri i shqiptarëve që shkojnë ilegalisht ka rënë ndjeshëm si pasojë e marrëveshjes mes kryeministrave Edi Rama dhe Rishi Sunak.

Kur kthehen për të folur për bashkëpunimin mes shqiptarëve dhe turqve, The Sun ka bërë një analizë të saj se si grupet shfaqin video në TikTok me të njëjtat hashtagje.

“Trafikantët e mëdhenj të drogës në Turqi janë mbështetur shumë te shqiptarët për të shpërndarë drogën e tyre në Europë. Kombet ndajnë lidhje të gjata kulturore dhe historike kështu që ishte vetëm çështje kohe që ta gjenin njëri-tjetrin në Britani”, tha një burim për the Sun.

E këtu britanikja ndalet tek arrestimi i Dritan Rexhepit në Stamboll që sipas tyre tregon bashkëpunimin mes gangsterëve të dy vendeve./tvklan.al

Lexo gjithashtu
Total
0
Share