I ftuar në emisionin “Debat Plus”, kreu i PDH-së Menduh Thaçi, ka bërë një retrospektivë të rrugëtimit të tij që nga zgjedhja si kryetar dege i PPD-së në vitin 1993, deri te sfidat dhe përplasjet politike të viteve të mëvonshme. Thaçi ka theksuar vitin 1996 si një periudhë të veçantë sfiduese, ku pas një beteje të ashpër zgjedhore, arriti të fitojë Gostivarin. Ai gjithashtu ka përmendur goditjet e rënda nga sistemi dhe burgosjen e disa anëtarëve të familjes së tij, duke përfshirë vëllezërit e tij, në kontekstin e krizës së Kosovës dhe koalicionit me PPD-në.
Thaçi ka shprehur krenarinë për të qenë i vetmi që ka nxjerrë mandatin e tij në mënyrë të pavarur katër vite më parë, në kundërshtim me partitë opozitare të cilat kanë formuar koalicione.
“Telegrafikisht rrugëtimi im është ky, unë jam zgjedhur kryetar dege i PPD-së në vitin 1993, ndërsa në vitin 1996 ka qenë viti më i vështirë i zgjedhjeve me armatën maqedonase ku ne në fund e morrëm Gostivarin. Pastaj patëm goditje të rënda nga sistemi, shumë njerëz u futën nëpër burgje, filluar nga vllezërit e mij, ishte kriza e Kosovës në pritje dhe koalicioni me PPD-në, numri i deputetëve ishte i tillë që krijuam marrëveshje, dhe për këtë kem dëshmitar zotin Mevlan Tahiri, unë u kam ofruar atyre që bashkarisht të hymë dhe bashkarisht të dalim me PPD-në.
Unë do të luftoja edhe vetë për ta nxjerrë mandatin tim, dhe para katër viteve për dallim nga të gjitha këto partitë opozitare kam qenë i vetmi me BDI-ja që kam nxjerrë mandatin, ndërsa kto partitë sot të gjitha kanë shkuar në koalicion”, tha Thaçi./tvklan.mk