Thaçi lë përkohësisht qelinë e burgut në Hagë dhe shkon në Kosovë, shkak gjendja shëndetësore e të atit

Klan News raporton se ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka lënë përkohësisht qelinë e burgut në Hagë për të shkuar në Kosovë. Sipas të njëjtave burime, raportohet se Thaçit i është aprovuar kërkesa për leje nga ana e Dhomave të Specializuara për të vizituar të atin.

Kjo është hera e dytë brenda vitit që Thaçi lë burgun përkohësisht për të vizituar prindërit.

Kujtojmë se në Maj të 2023-shit, Thaçi është kthyer për disa orë në vendlindje me lejen e gjykatës së Hagës për t’ju gjendur pranë nënës së tij në gjendje të përkeqësuar shëndetësore.

Sjellim në vëmendje se prindërit e ish-Presidentit Thaçi, Haxhi dhe Hyra Thaçi kanë arritur ta takojnë djalin e tyre më 8 Korrik të vitit 2022 në qendrën e paraburgimit në Hagë.

Gjyqi në Hagë ndaj ish-Presidentit Hashim Thaçi dhe ish-krerëve të tjerë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi nisi më 3 Prill, ndërsa deri tani janë pyetur pa praninë e kamerave disa dëshmitarë të akuzës.

Ata akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit gjatë luftës në Kosovë në vitet 1998-1999./tvklan.al

Lexo gjithashtu
Total
0
Share