Një grua në Indonezi është burgosur për dy vjet pasi tha një lutje islame para se të hante mish derri, moment që e publikoi përmes një videoje në TikTok.
Lina Lutfiawati ka mbi 2 milionë ndjekës në rrjetet sociale, të cilët i fitoi menjëherë pasi videoja e saj u bë virale.
“Në emër të Zotit”, thotë ajo para se të hajë një copë lëkure derri krokante. Ajo është myslimane, dhe është dënuar për nxitje të urrejtjes fetare. Veç dy viteve në burg, Linas i duhet të paguajë rreth 13 mijë euro si gjobë.
Përpara gjykatësve mësohet se ajo ka shprehur keqardhje për gjestin.
“Jam e habitur. Kam kërkuar falje shumë herë. Në fakt e di që kam gabuar, por nuk e prisja që dënimi të ishte dy vjet”.
Indonezia është vendi më i madh me shumicë myslimane në botë dhe konsumimi i mishit të derrit konsiderohet haram ose i ndaluar në Islam.
Usman Hamid, drejtori ekzekutiv i “Amnesty International Indonesia”, tha se ajo që ndodhi me Lutfiawatin “nuk ishte befasuese“, pavarësisht premtimeve të qeverisë për të mbrojtur lirinë e shprehjes.
Kujtojmë se edhe Guvernatori i Xhakartës, Basuki Tjahaja Purnama, i krishterë, u burgos për dy vjet në vitin 2017 pasi u shpall fajtor për blasfemi për citim të një vargu nga Kurani gjatë një fjalimi të fushatës.
Në vitin 2018 po ashtu një gjykatë indoneziane dënoi me 18 muaj burg një grua kineze që u ankua se xhamia pranë banesës së saj po i shkaktonte zhurmë./tvklan.al